TIRANE- Kush tha që i ftohti siberian u largua me ardhjen e Vitit të Ri ka menduar gabim. Në fund të javës së parë të janarit pritet që vendin ta pushtojnë temperatura me disa gradë nën zero dhe përjashtim nuk bën as kryeqyteti, Tirana.

Ndonëse këto temperatura nuk ishin regjistruar vitet e fundit në kryeqytet, sipas të dhënave meteorologjike pritet që të jetë e premtja dita më e acartë në Tiranë ku temperaturat do të shkojnë deri në -11 gradë celsius, ndërsa të dielën parashikohen reshje dëbore në kryeqytet dhe pothuajse në të gjithë vendin.

Megjithëse, gjithë dhjetëditëshi i parë i 2017-ës do të karakterizohet nga temperatura shumë të ulëta ato do të jenë më të theksuara të premten, të shtunën dhe të dielën.

Pavarësisht se ato sillen nga -3 deri në -11 ndjeshmëria e të ftohtit është edhe më e madhe në zonat e ulëta dhe bregdetare për shkak të lagështirës së ajrit.

Kështu pritet që i ftohti të ndjehet të paktën 4 gradë më shumë se sa shënon termometri. Pra nëse është -11, ndjeshmëria është si të jetë -15.

Duke nisur nga i ftohti por edhe gripi i përhapur si një epidemi edhe Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave deri në fundjavë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: