Një koreografi unike për Vjosën, lumin e fundit të egër të Evropës, bashkon 10 artistë nga e gjithë bota në Tiranë. Koreografi shpjegon konceptin e një kërcimi si zë e imazh i Shqipërisë

Magjia e trupave njerëzorë me brishtësinë, virilitetin, njëkohshmërinë dhe forcën e vet, i afrohet magjisë së një lumi që bart kujtesën e ujit dhe dëshminë e epërme të natyrës. 10 artistë nga e gjithë bota janë bërë pjesë e një baleti për lumin e fundit të egër të Evropës. “Actus For Vjosa” është një performancë e kërcimit bashkëkohor nga “Was bleibt kollektiv” e drejtuar nga Gentian Doda. Një koreografi unike që sjell zërin shqiptar për Vjosën, me elemente sa vendase aq edhe evropiane e ka premierën të hënën ne Teatrin e Operës dhe Baletit.

Gentian Doda: Është një punë njëvjeçare që kemi pbërë për Vjosën, për kompozimin e muzikës origjinale me kompozitorin shqiptar që jeton në Spanjë Çezer Aliaj, ku është frymëzuar në disa struktura polifonike. Edhe kërcimi është frymëzuar në disa estetika lëvizjeje. Po flas për motive shumë të vogla, sepse nuk doja ta çoja në një formë ekzotike, kam dëshira ta çoj në një formë më universale, që kjo vepër bashkëkohore të prezantojë Shqipërinë si imazh dhe jashtë.

Konferenca për mediat u mbajt në shtëpinë e Evropës ndërsa projekti është mbështetur nga fondacioni “Heinrich Böll”, BE, Ambasada Gjermane dhe disa organizata. “Actus for Vjosa” është një himn, një lutje dhe një luftë, ndërsa Vjosa ende nuk është shpallur park kombëtar. A mundet arti të bëhet akt që ndryshon vendimet politike?
Gentian Doda: Unë nuk jam artist “politikisht korrekt e nuk do jem”. Nëse unë besoj te një kauzë, do ta bëj, jo vetëm për faktin e kauzës, por se është frymëzuese dhe Vjosa është frymëzuese. Nuk duhet ta ndajmë artin nga aktivizimi. Qëllimi im është t’i arrihet publikut përmes ndjesisë e emocionit.

10 artistët i japin kauzës trupat e tyre dhe lëvizjes si akt e mendim, si ndjesi e forcë dhe si zë i ritakimit të njeriut me natyrën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: