Një konferencë shkencore ad honorem është mbajtur nga Akademia e Shkencave për poetin kombëtar Gjergj Fishta. Studiues nga universitete, brenda e jashtë vendit, si edhe akademikë e klerikë, shfaqën qasje të ndryshme mbi poetin e anatemuar e vlerësuar në tri kohë të letërsisë shqipe.

Imzot Gjergj Meta: Ka pasur një përqasje ndaj tij së paku nga viti 1944 sipas një triade dialektike hegeliane, kemi një periudhë mohimi 50-vjeçare, një periudhë pohimi 30 vjeçare e ndoshta po shohim një moment sinteze mes këtyre dy qasjeve.

Konferenca në 150-vjetorin e tij fshiu ndalesën e kamotshme që zinte fill në komunizëm.

Shaban Sinani: Sot është vlerësimi i parë zyrtar në një veprimtari të dedikuar për Fishtën. Është një konferencë që synon të çojë vlerësimin e Fishtës në vendin që i takon, as duke e zvogëluar as duke e zmadhuar siç ka ndodhur për një periudhë të gjatë. Të gjitha figurat e mëdha ngjallin debat, asnjëherë nuk ka dakordësi për figurat e mëdha. Është ndikuar nga faktori politik se një pjesë e jetës së tij është e lidhur me periudhën mbretërore dhe me atë pasuese.

Ndërsa emri i tij është luhatur nga studimet mes Homerit dhe bejtexhiut, për Sinanin historia e letërsisë nuk mund të bëhet pa të, ndërsa për Ardian Ndrecën, që u ndal te “Gomari i Babatasit”, ka mesazhe të qarta edhe sot:

Ardian Ndreca: Janë gati 100 vjet që nga koha kur Fishta botoi kryeveprën e tij satirike dhe ende sot ai gomar mbetet një nga figurat më tipike të shqiptarisë. Fishta në 1923 mundohej me na bindë se gomari njeri apo njeriu gomar, (se e tillë është metamorfoza në vepër), që sillet në zyrat e shtetit asht një anomali dhe nuk duhet të legjitimohet. Satira e Fishtës buron prej vetëdijes se makina e shtetit shqiptar nuk mund të modernizohet me anë të një makijazhi të sipërfaqshëm.

Një studim i letërsisë Shqipe të vitit 1968 që mbeti në dorëshkrim, ku përfshihet edhe Fishta, pritet të shohë dritën e Botimit, ndërsa Akademia ka ngritur një grup pune për të shkruar historinë e letërsisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb