Adele është shfaqur e përlotur të enjten, teksa njoftoi me një video se shtyu një seri koncertesh në Las Vegas që do të fillonin të premten, kjo pasi gjysma e ekipit të saj ishin sëmurë me COVID-19 dhe pandemia ka shkaktuar vonesa në organizimin e ngjarjeve.
Super ylli britanik ishte planifikuar të fillonte një qëndrim tre mujor në hotelin “Caesars Palace”, në ato që do të ishin paraqitjet e saj të para live që nga viti 2017, shkruan Reuters.
“Ne kemi provuar absolutisht çdo gjë që mundemi për të nisur në kohë. Dhe që ajo të jetë mjaft e mirë për ju. Por ne jemi shkatërruar absolutisht nga vonesat e dorëzimit dhe COVID-19. Gjysma e ekipit tim janë të infektuar me COVID. Ata janë ende. Dhe ka qenë e pamundur të përfundosh përgatitjet për shfaqjen”, tha Adele e përlotur në një video të publikuar në Instagram.
Duke thënë se ndjente keqardhje plot tetë herë në një mesazh 92 sekondash, veçanërisht për njerëzit që kishin udhëtuar në Las Vegas për shfaqjen, Adele tha se vonesat e penguan atë të përsoste shfaqjen sipas standardeve të saj dhe ajo premtoi se do të riplanifikonte mbajtjen e turneut.
“Unë do të përfundoj shfaqjen time dhe do ta çoj atje ku duhet të jetë”, tha ajo.