TIRANË- Elhaida Dani shfaqet si këngëtarja e preferuar për të fituar Festivalin e Këngës Eurovision 2015, sipas një analize të bërë nga Adobe Indeksi Digital.

Analiza i referohet lëvizjeve në mediat dhe rrjetet sociale (klikimeve, shikimeve, komenteve etj) rreth garuesve të Eurovisionit, para dhe pas gjysmë-finales të prezantuar gjatë kësaj jave. Sipas kësaj analize, Elhaida Dani shfaqet si këngëtarja më e preferuar, për të fituar Eurovision 2015.

Para gjysmë-finales, Australia me Guy Sebastian ishte në krye të listës së lëvizjes sociale, por referuar analizës më të fundit të bërë menjëherë pas gjysmë-finales duket se u rrëzua lista e mësipërme me hyrjen e Shqipërisë.

“Nëse Eurovision vendoset nga popullariteti, fituesi i finales së madhe mund të jetë Elhaida Dani nga Shqipëria”, tha Philippe Laguerre-Auguste, Drejtor i Komunikimit EMEA në Adobe.

Analiza ADI nxjerr të preferuar Elhaida Dani, duke iu referuar lëvizjeve të shumta të cilat shprehen në rrjetet sociale duke përfshirë: Facebook, Google, Reddit, Twitter, Dailymotion, Flickr, Instagram, Tumblr, VK, Disqus, Metacafe, WordPress dhe YouTube, si dhe Blogs.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: