Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sëbashku me drejtoreshën e UNDP në Shqipëri, Limya Eltayeb dhe Drejtorin Ekzekutiv i ADISA-s, Lorin Ymeri morën pjesë në ceremoninë e hapjes së zyrës së Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara në Bashkinë e Librazhdit.

Në këtë zyrë do të ofrohen rreth 300 shërbime lokale apo kombëtare si dhe marrja e informacionit të domosdoshëm për 900 shërbime të tjera publike.

Në fjalën e tij, Balla e vuri theksin tek përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarit dhe rritjen e transparencës.

“Beteja jonë kryesore është përmirësimi i shërbimit ndaj njerëzve. Me vëmendjen ndaj njerëzve kemi reformuar tërësisht ofrimin e shërbimeve bazë ndaj komunitetit. Në këtë zyrë ofrohen 300 shërbime bazë, nga shërbimi i transportit rrugor, shërbimi postar, shërbime të hipotekës, shërbime të taksave vendore, shërbime që lidhen me ujësjellës kanalizime, pra gjithçka është e përmbledhur në një zyrë për t’u shërbyer 30 mijë banorëve të zonës tonë.

Themeli i projektit ADISA ka qenë parimi “one stop shop” pra qytetari merr shërbimet në një zyrë të vetme, pa shpenzuar kohë dhe para.Jemi në një fazë të rëndësishme të një reformimi të thellë të shërbimeve ndaj njerëzve ku rrisim transparencën dhe luftojmë korrupsionin, pasi kjo është beteja jonë bazë në punën e përditshme në shërbim të njerëzve.” deklaroi Balla.

Për Drejtorin Ekzekutiv të ADISA-s, Lorin Ymeri ofrimi i shërbimit cilësor dhe efektiv ndaj qytetari mbeten sfidat parësore.

“Ne ofrojmë mbi 300 shërbime, lokale dhe qëndrore, siç janë shërbimet e Drejtorisë së Transportit Rrugor, Agjencisë Shtetërore Kadastrës, po ashtu janë mbi 170 shërbime të Qendrës kombëtare të Biznesit, Institutit të Sigurimeve Shoqërore etj. Ofrojmë gjithashtu në këtë qendër informacion të detajuar për më shumë se 900 shërbime publike, që do të thotë; qytetarët të vijnë në qendër, të marrin informacion dhe për shërbimet që nuk ofrohen në këtë qendër, por informacion të detajuar që përfshin dokumentat që nevojiten për këtë shërbim, vendin ku mund të aplikohet, tarifat nëse ka, kohën që nevojitet për të marrë shërbimin. Pra, është një qendër e integruar e mirëfilltë që do t’i shërbejë më shumë se 30 mijë qytetarëve të Bashkisë Librazhd” u shpreh Ymeri.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra në fjalën e tij tha se Reforma Territoriale solli me vete një sfidë të madhe, atë të shërbimit cilësor ndaj qytetarit, dhe sot ADISA arrin të gjitha pritshmëritë për një shërbim dinjitoz.

ADISA synon transformimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike në Shqipëri, përmes qasjes me qytetarin dhe përmirësimin e shërbimeve me natyrë administrative për qytetarin dhe biznesin.

Hapja e zyrës ADISA në Librazhd u bë e mundur falë bashkëpunimit të Qeverisë Shqiptare, UNDP, Projektit Star dhe Bashkisë Librazhd.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb