Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka tashmë një qeverisje të re, drejtuar nga Presidenti Joe Biden, ambasadorja Yuri Kim e ftuar në emisionin “Real Story” në News24 me Sokol Ballën u shpreh se edhe me administratën e re, vëmendja që SHBA ka ndaj Ballkanit nuk ndryshon.

Zonja Kim foli më tej për mësimin që i dhanë ngjarjet e 6 janarit j ovetëm Amerikës, por botës mbarë. Ajo tha se demokracia nuk është e lehtë dhe duhet të luftosh për të, por shtoi se ishte krenare për faktin se SHBA arriti ta kalojë këtë test të vështirë.

PJESE NGA INTERVISTA

Sokol Balla: Pra, ç’duhet të presim nga administrata e re?

Ambasadorja Kim: Mendoj se disa gjëra nuk do të ndryshojnë, për shembull, vëmendja ndaj Ballkanit nuk do të ndryshojë. Mendoj se çdo administratë ka një karakter të ndryshëm dhe mendoj se do të duhet të shohim si do zhvillohen gjërat nën Presidentin Biden dhe, tani Sekretarin e Shtetit të konfirmuar Tony Blinken, por mund t’ju them kaq: ata janë me përvojë dhe mendoj se do të jenë shumë të aftë për të promovuar vlerat e Amerikës dhe për të bërë avokatin e interesave të Amerikës, çka qëllon të përfshijë një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë.

Sokol Balla: Në fakt, mendoj se kemi një foto tuajën me Presidentin Biden. E kemi foton e Znj. Kim me Z. Biden, besoj ishte Zv. President? Fotoja është nga koha kur ishte Zv. President, apo jo?

Ambasadorja Kim: Është nga koha kur ishte Zv. President dhe këtu po e informoja mbi çështje të brendshme politike. Ju betohem që po qeshte një minutë përpara dhe pas.

Sokol Balla: Sa për t’u siguruar …

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: Diçka që askush nuk e vë dot në dyshim është marrëdhënia juaj personale, profesionale me Sekretarin e ri të Shtetit, Z. Blinken. Ishit shefe e kabinetit të tij, po?

Ambasadorja Kim: Saktë.

Sokol Balla: Na tregoni pak më shumë për të.

Ambasadorja Kim: Isha shefe e kabinetit të tij kur ishte Zv. Sekretar i Shtetit, nga 2015 në 2017. Është një nga njerëzit më inteligjentë dhe me të menduar strategjik që kam hasur ndonjëherë në shërbimin publik. Dhe ne që e njohim presim me kënaqësi ta shohim të kthehet në Departamentin e Shtetit dhe, si mike, nuk mund të isha më e lumtur.

Sokol Balla: Si mike s’mund të ishit më e lumtur; si miku juaj, si mund ta ndikonte misionin tuaj në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se është nga ata që tregon favorizim në bazë të marrëdhënieve personale. Do të shohë botën dhe mendoj se do të mbresoheni nga mënyra si zhvillon marrëdhënie me homologët e tij. Mendoj se do të mbresohemi me mënyrën se si SHBA do të bëjë përpjekje ekstra për të forcuar të gjitha aleancat dhe miqësitë tona kudo në botë.

Sokol Balla: Zonja ambasadore, na keni dhënë shumë mësime historie dhe Amerika ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një pasqyrë ku shohim veten dhe përmirësojmë veten. Në këtë kuptim, çfarë mësimi mund të marrim nga çfarëdo përjetuat para, gjatë dhe pas 6 janarit?

Ambasadorja Kim: Mendoj se mësimet e përvojës së Amerikës gjatë javëve dhe muajve të fundit janë se demokracia nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për askënd. Nuk është e lehtë në SHBA, nuk është e lehtë në Shqipëri apo kudo tjetër në botë. Ky është mësimi i parë. I dyti është që është me rëndësi dhe me vlerë dhe duhet të luftosh për të. Dhe e treta është që institucionet kanë rëndësi, udhëheqësia ka rëndësi ndaj, për mua, kur shoh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam krenare për faktin se ia dolëm ta kalonim këtë test shumë të vështirë dhe mendoj se e kaluam. Mendoj se ka ende punë për të bërë, por mendoj edhe që kur vende të tjera në botë, popuj të tjerë, kur shohin shembullin tonë, ajo që shohin nuk është se mund të kemi pasur një ngërç, por se e kapërcyem dhe se do të jemi më të fortë dhe do të nxjerrim mësime nga kjo. Dhe vërtet, si Ambasadore këtu në Shqipëri, këtë shpresoj edhe për Shqipërinë.

Sokol Balla: Në fakt, sa do thoja të njëjtën gjë, sepse aksdentalisht u ndodha atje…

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: …dhe ajo që më bëri përshtypje është se si përfaqësuesit e popullit u bënë bashkë në vetëm dy a tre orë dhe përcollën mesazhin e fortë që përcollët edhe ju këtu. Që Amerika, kur vjen fjala tek…ka probleme, ka ngërçe, në momentin e duhur, kohën e duhur, vendin e duhur madje, dolën bashkë përsëri dhe ishte një apel emocional që Amerika na bëri neve, njerëzve që shohin tek Amerika për shpresë dhe, ndoshta për pak sekonda e humbëm atë shpresë, por pastaj gjithçka u kapërcye aq shpejt dhe aq mrekullueshëm. Ishte mrekulli spektakli politik që dhanë pas ngjarjeve. Dhe pyetja ime është: pse politikanët shqiptarë nuk e bëjnë dot këtë, kur vjen puna tek çastet e vështira, kur kemi çaste të vështira në këtë vend, pse nuk bëjnë të njëjtën gjë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se munden …

Sokol Balla: …E di që munden, por pse nuk e bëjnë?

Ambasadorja Kim: Duhet të pyesni ata.

Sokol Balla: Mendoni se munden?

Ambasadorja Kim: Po.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb