Nga: Ornela Manjani*Vitin e ardhshëm do të shërbejnë në administratën publike 7200 persona më pak. Nga 88550 punonjës që ishin këtë vit, vitin tjetër do të kenë kontratë me shtetin 81350 punonjës dhe sektori që preket më shumë nga këto shkurtime do të jetë arsimi. Sipas tabelës që shoqëron projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, mësohet se institucioni që do të pësojë reduktimin më të madh të numrit të punonjësve është sektori i arsimit. Qeveria ka në plan të mbajë këtë vit 31,186 punonjës nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit nga 38,291 punonjës që ka aktualisht. Sipas të njëjtës tabelë, mësohet se Ministria e Brendshme do të ketë vitin e ardhshëm rreth 500 punonjës më pak se sa këtë vit, ndërsa numri i punonjësve të Kryeministrisë do të dyfishohet, nga 227 aktualisht në 530 vetë vitin e ardhshëm. “Për vitin 2016 reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e vazhdueshme të efiçencës dhe performancës së administratës qendrore, e cila do të arrihet nëpërmjet ristrukturimeve të institucioneve ekzistuese. Numri i punonjësve për vitin 2016 arrin në 81.350 punonjës, duke reflektuar transferimin e disa funksioneve nga qeverisja qendrore në atë vendore”, thuhet në relacion.

SHKURTIMET NË BUXHET
Reduktohen shpenzimeve buxhetore 1%. Synimi kryesor është ulja e borxhit publik dhe ruajtja e deficitit. Në projektbuxhetin e 2016-ës, qeveria ka ulur ndjeshëm fondet për arsimin dhe infrastrukturën, ndërkohë që për vetë administratën kryeministrore është treguar bujare. Kështu, sipas tabelave të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, qeveria ka shtuar shpenzimet për aparatin kryeministror me mbi 3. 1 miliardë lekë nga 715 milionë lekë të buxhetit të rishikuar të këtij viti. Prioritet për 2016-ën i jepet Ministrisë së Bujqësisë me një rritje të fondeve me 24% ose 5,2 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit.

Këto fonde do të synojnë zgjerimin e skemave mbështetëse për fermerët, për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit dhe formalizimin e sektorit të peshkimit. Edhe ministria e Ahmetajt do të ketë në buxhetin e saj 42% më shumë fonde, kjo nisur edhe nga shtimi i numrit të strukturave pranë Ministrisë së Ekonomisë. Mbi 50% janë rritur edhe fondet për Ministrinë e Mjedisit, 19% për atë të Kulturës dhe 20% për Ministrinë e Drejtësisë. Por qeveria nuk ka ndjekur të njëjtin vlerësim për dy ministritë e tjera, atë të Transporteve dhe Infrastrukturës dhe Ministrinë e Arsimit. Sipas shpenzimeve të parashikuara për vitin e ardhshëm, fondet për infrastrukturën janë tkurrur 32% krahasuar me fondet e parashikuara në buxhetin e rishikuar të këtij viti. Ndërkohë, fondet për arsimin shkojnë në 3,5 miliardë lekë apo 10% më pak se ky vit, duke shënuar nivelin më të ulët historik për këtë sektor. Nuk preken fondet për Ministrinë e Shëndetësisë, të cilat qëndrojnë në po të njëjtat nivele, ndërsa janë shkurtuar me 20% shpenzimet për Ministrinë e Integrimit.

MINISTRI RAPORTON NË KUVEND

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, e quajti projektbuxhetin e vitit 2016 si buxhet i zhvillimit rajonal, thellimit të reformave dhe uljes së borxhit dhe taksave. Cani prezantoi në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, duke nënvizuar tri karakteristika të tij. “Së pari, është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi për mirëqenien e qytetarëve, sepse mbështet disa sektorë tradicionalë, ku do të përmendja bujqësinë dhe pyjet. Së dyti, rrit kompetencat, shërbimet dhe fondet për qeverisjen vendore, duke e kthyer në një pushtet që ofron mundësi dhe potenciale zhvillimi.

Së treti, karakteristikë e këtij buxheti është se nuk rrit taksat, përkundrazi i ul ato, duke inkurajuar punësimin dhe uljen e varfërisë”, tha Cani. Megjithëse ishte një prezantim paraprak i projektbuxhetit, Konferenca e Kryetarëve nisi me përplasje mes maxhorancës dhe përfaqësuesve të opozitës. Edmond Spaho, Edi Paloka dhe Albana Vokshi u ankuan se kishin marrë vetëm dy orë më parë në dorëzim projektbuxhetin dhe nuk kishin pasur kohën e nevojshme për t’u njohur me përmbajtjen e tij. “Jemi njoftuar para dy orësh dhe nuk kemi asnjë ide mbi projektbuxhetin dhe ligjet fiskale që e shoqërojnë.

Projektbuxheti nuk është shqyrtuar në Komisionin e Ekonomisë me nënkryetarin e këtij komisioni”, deklaroi Spaho. Megjithatë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se thërritja e Konferencës së Kryetarëve shërben vetëm për prezantimin e projektbuxhetit nga ana e ministrit Cani dhe rënia dakord mbi kalendarin për miratimin e tij. “Propozoj që të vazhdojmë me prezantimin nga ana e ministrit dhe sa i takon kalendarit, si për projektbuxhetin dhe projektligjet që e shoqërojnë, kemi kohën e mjaftueshme. Të biem dakord për kalendarin edhe sot, edhe nesër”, tha Meta.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: