TIRANË

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi zhvilloi sot takim me akademikë të fushave të ndryshme, në një bashkëbisedim të hapur me temë: “Tërheqja e më të mirëve në administratën publike”.


Duke nënvizuar reformën në administratën publike si një nga prioritetet kyçe të Shqipërisë në rrugëtimin evropian, dialogimi dhe bashkëbisedimi me përfaqësuesit e botës akademike në lidhje me këtë reformë, është sipas Mesi gjithmonë i mirëpritur dhe vlerë e shtuar për ta çuar gjithnjë e më përpara këtë proces të rëndësishëm, i cili ngelet një angazhim madhor i ndërmarrë nga qeveria shqiptare ndaj qytetarëve. “Natyrisht që procesi është kompleks dhe shumë sfidues. Ndaj, gjithë-përfshirja e aktorëve është për mua me rëndësi për të thelluar këtë reformë që kemi nisur”, shtoi ajo.

Gjatë takimit, zv.kryeministrja Senida Mesi njohu të pranishmit me disa nga arritjet konkrete të reformës dhe drejtimet kryesore ku është përqendruar puna për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, ndërsa u shpreh se reformimi i administratës ka nevojë për bashkëpunimin me universitetin dhe fushën akademike.

“Po punojmë në disa drejtime sikurse janë: përmirësimi i aksesit, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve publike përmes ofrimit të shërbimeve të integruara dhe online.  Kemi ulur ndjeshëm barrën administrative për bizneset dhe qytetarët përmes procesit të derregullimit apo ndryshe thjeshtimit dhe lehtësimit të procedurave në marrjen e lejeve, licencave, autorizimeve apo shërbimeve nga shteti. Gjithashtu, po punojmë për zhvillimin e stafit në administratën publike, përmirësimin e sistemit të rekrutimit e promovimit, rivitalizimin e stafit përmes trajnimeve etj.”, u shpreh Mesi.

I gjithë ky proces, sipas Zëvendëskryeministres Mesi, ka një objektiv themelor: transformimin rrënjësor të kulturës së punës në administratën publike. “Kjo bëhet vetëm me meritokraci, integritet, profesionalizëm e përkushtim – këto janë vlerat për të cilat ne po punojmë dhe që po promovojmë, edhe pse mes rezistencës së sistemit apo të natyrës njerëzore sa i takon ndryshimit”, shtoi ajo.

Teksa shprehu besimin se bashkëpunimi me universitetet, qendrat kërkimore, pedagogët e studentët do të sjellë rezultate konkrete për reformimin e administratës, Mesi theksoi rëndësinë e akademisë në përgatitjen e të rinjve të talentuar për administratën publike.

“Unë e shoh universitetin jo vetëm si qendra e prodhimit të dijes dhe e përgatitjes së brezave të rinj, por si një aktor zhvillimor që i përgjigjet nevojave që ka tregu i punës, biznesi, politikë-bërja, komuniteti e zhvillimi në tërësi i vendit. Kështu ne kemi nevojë për talentin, për brezin e ri që ju përgatisni nëpër auditore si profesionistët e rinj, të zotë, të motivuar dhe me integritet për tu bërë pjesë e administratës publike. Përmes angazhimit të të rinjve, ndërtimit të kulturës së punës tek ta të bazuar tek shërbimi ndaj qytetarëve, transparenca e integritet, ne shpresojmë ndryshimin radikal të sistemit të vlerave që kanë mbizotëruar deri tani në administratë”, theksoi Zëvendëskryeministrja Mesi.

(n.m/BalkanWeb)