Administrata ushtarake në Mianmar njoftoi se do të shpërbëjë Partinë Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) e udhëhequr nga Aung San Suu Kyi, ish-liderja “de facto” dhe ministre e Punëve të Jashtme të vendit e cila u përmbys nga pushtetit pas grushtit të shtetit.

Unioni i Komisionit Zgjedhor (UEC) i cili u formua pas grushtit të shtetit, sot në takimin e mbajtur me liderët e partive solli në rend dite pretendimet për mashtrime të kryera në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor 2020.

Në takim morën pjesë liderët e 53 partive ndërkohë që 38 partitë që nuk e njohin administratën ushtarake nuk morën pjesë.

Kreu i UEC, Thein Soe në një deklaratë pas takimit tha se partia NLD do të shpërbëhet me arsyen se është përfshirë në pretendimet për mashtrim në zgjedhjet e vitit 2020 dhe se liderja e partisë do të etiketohet si “tradhtare e vendit”.

Soe nuk ka dhënë detaje lidhur me kohën se kur do të shpërbëhet NLD-ja.

Pretendimet për mashtrime në zgjedhje

Partia NLD e Aung San Suu Kyi ruajti pushtetin e saj duke fituar 238 vende në Parlament dhe 138 vende në senat në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën më 8 nëntor 2020 në Mianmar.

Than Htay, lideri i Partisë së Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP) e cila mbështetet nga ushtria, pretendoi se punonjësit e NLD-së kanë kryer mashtrime gjatë numërimit të votave duke i numëruar votat e partisë dy apo tri herë në shumë kuti votimi.

Komisioni zgjedhor ka dhënë vendimin se pretendimet për mashtrim janë të pabaza dhe se zgjedhjet janë fituar nga NLD-ja.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb