Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi teksa komentoi fushatën elektorale, duke u ndalur gjerësisht në bashkinë e Fierit, pohoi se administrata po përdoret për të blerë vota.

Në një komunikim për rubrikën ‘Opinion’ në News24 Baçi tha se kandidati socialist, Armando Subashi ka ngritur një grup pune në bashki që merret me ndërhyrje në rrugë për ato çka i cilësojnë asfalt elektoral.

Po ashtu ai tha se Rama dje solli njerëz nga Tirana me autobusë që të mbushte sheshin në Fier për fushatën elektorale.

“Është një fushatë në situatë të pazakontë. S’ka qenë një fushatë e tillë, për realitetin e krijuar nga maxhoranca. Realitet fals. Kam parasysh këtu koalicionin Bashkë Fitojmë, që u gjet një zgjidhje e detyrueshme. Ku kandidatët e dalë nga Primaret e PD, është zgjedhje që është bërë për herë të parë, u detyruan që të mos dalin me siglën e tyre të PD, por me koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’. Rama po tenton që të shpëtojë nga humbja dhe nga programet e projektet. Është situatë jo e zakonshme, e vështirësuar për kandidatët tanë. Duhet të jemi të sinqertë. Shpesh herë mbështetësit tanë shkojnë drejt siglës së PD, që është uzurpuar nga mercenarë të Ramës.”, tha Baçi.

Duke komentuar kërkesën sot të KQZ, ku përmes një letre i kërkonte SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të bashkëpunonin për krimet zgjedhore, Baçi tha se ky është një hap i mirë.

“Dua ta shoh si interesim të KQZ që të qëndrohet larg tensioneve. Në disa bashki ka pasur incidente. Tensioni më i madh është ditët e fundit, sidomos në ditët e zgjedhjeve dhe në ditën e numërimit të votave. Këto kanë ardhur gjithmonë nga maxhoranca e sotme. Alarmi që jep KQZ ndoshta tregon se ka informacione se mund të ketë problematika gjatë procesit zgjedhor. Gjatë fushatave zgjedhore, drejtuesit e fushatave, kontaktojnë me qytetarë, mbështetës të vetët dhe elektoratin gri. Do e mirëkuptoja çdokënd që del e diskuton dhe prononcohet dhe thotë se ka një pritje të mirë nga qytetarët dhe ka pritshmëri për vota. Të gjithë e shpallin veten fitues në 61 bashkitë. Unë dua të jem objektiv. Ka shumë vështirësi për PD për shkak të situatës, të presionit të maxhorancës dhe se administrata është vënë në shërbim të qeverisë. Flas dhe për administratën që varet nga qeveria. Edhe gjatë orareve të punës kanë qenë në fushatë. detyrohen që të mbushin formularë për numrin e votave, me numrat e kartave dhe të telefonave. Këto janë denoncime që i kemi bërë shpesh herë. Po ashtu janë dhe investimet për fushatë. Subashi, që është shpikës, ose imitues i Veliajt, ka krijuar një ndërmarrje të vetën në Bashki. Ka blerë disa makineri, mjete e rrulë, ka përmes Albpetrol merr rërë dhe vazhdon të bëjë mbyllje gropash. I Hedhin hi syve qytetarëve. I gënjejnë për të marrë votash. Mbrëmë në Berat patëm një bllokim të disa mjeteve që punonin natën në mes të shiut, pa asnjë njoftim. Dje në Fieri ku kishte fushatën Rama, sollën nga Tirana njerëz me autobusë, që të mbushnin sheshin.”, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb