Humbja e thellë në shifrat 5-1 ndaj Skënderbeut në transfertë nuk është pritur aspak mirë nga administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. I kontaktuar në linjë telefonike nga Turqia, ku ndodhet aktualisht, ai është shfaqur mjaft i mërzitur nga ajo që skuadra e tij ka dhënë në fushën e lojës. Kështu që Idrizi ka shpërthyer kundër lojtarëve, duke i quajtur “lepuj të lagur”.

Sipas tij, skuadra është shthurur gjatë gjithë takimit, duke pësuar edhe më shumë gola. “Nuk kam më fjalë, më kanë mbaruar të gjitha. Ekipi u tregua amator në Korçë. Çfarë duan këta, t’ua mbash me shkopinj kokës. Nuk e di, jam i shokuar! Jo kaq poshtërues, nuk kam ç’të them më për ata. Nuk kam lojtarë unë në ekip, por ‘lepuj të lagur’. Nuk dua t’u drejtohem të huajve, por lojtarëve shqiptarë.

Ore, e dinë këta që jetojnë në Vlorë?! E dinë apo jo?! Nuk kanë faj ata, ju lumtë që janë shthurur kështu! Të talleshin deri në këtë mënyrë, nuk e mendoja. Në pjesën e parë luajtën mirë përballë Skënderbeut. Në pjesën e dytë u shthurën komplet. A mund të më thoni pse? Çfarë ndodhi? Unë nuk e kuptoj, pse?”, tha fillimisht Idrizi.

Stafi teknik – Administratori nuk ka ndryshuar qëndrim edhe për stafin teknik të ekipit të tij. “Të gjithë bashkë janë ‘lepuj të lagur’. Përfshi edhe stafin teknik. Nuk përjashtoj asnjë kur them se janë ‘lepuj të lagur’. Janë fajtorë të gjithë bashkë për këtë situatë”, vazhdoi Idrizi mjaft i irrituar me skuadrën.

Masat – Humbja natyrisht që nuk pritet të kalohet pa masa te vlonjatët, ndërkohë që administratori shprehet se kjo skuadër nuk është krenaria e vlonjatëve. “Kjo nuk është krenaria e vlonjatëve. Këta ‘lepuj të lagur’ si duket nuk e kanë kuptuar akoma këtë. Është detyra jonë, që si vlonjatë, t’ua mësojmë atyre këtë. Do të ketë masa. Nuk e lë të kalojë me kaq unë këtë situatë. Por, çfarë masash do të jenë, do t’i shihni më vonë, nuk mund t’i them tani. Duhet të dini se kjo që ndodhi nuk do të kalojë kështu.

Nuk ia kam borxh askujt. Jam treguar korrekt dhe u dhashë paradhënie, por nuk po më përgjigjen siç duhet. Duhet të reagonin më shpejt. Iku Tërbuni, iku Bylisi, unë nuk u ndjeva, madje u qëndrova pranë dhe i përgëzova, duke i inkurajuar, por tani nuk fal më”, tha i zhgënjyer Idrizi.
Mbledhja – Në mbyllje të deklaratës së tij, administratori bëri me dije se gjatë kësaj jave do të kthehet në Vlorë. “Brenda kësaj jave do mbledh ekipin. Nuk e pranoj dot këtë situatë. Dua të dëgjoj çfarë i shqetëson”, ka mbyllur Idrizi./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: