TIRANË- Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela tha sot se viti 2015 do të jetë viti i investimeve. Gjatë konferencës për mediat Çela deklaroi se publiku tashmë është ndërgjegjësuar se energjia duhet paguar, duke sjellë shifra konkrete nga të ardhurat e mbledhura. Ai përsëriti apelin për përfundimin e afatit të përfitimit nga skema lehtësuese e shlyerjes së pagesave të debisë.

“Deri më tani, publiku është njohur me ecurinë e arkëtimeve, të cilat paraqiten tejet pozitive, aq sa tashmë, jemi të bindur për të hedhur hapin tjetër: atë të investimeve.

Në shkurt mblodhëm 70 milionë dollarë. Gati dyfish më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga muaji janar e deri më tani (data 25 mars), kemi mbledhur 170 milionë dollarë dhe besojmë se me ecurinë e deritanishme, do të realizojmë objektivin e vendosur: deri në fund të vitit të mbledhim 54.8 miliardë lekë (gati gjysmë miliard dollarë). Këto të dhëna financiare na japin më shumë garanci për investimet, të cilat jemi gati t’i nisim. Këtu dua të ndalem pak më gjatë, pasi ky do të jetë viti i investimeve konkrete, me vlerë 55 milionë dollarë”, tha Çela.

Duke u ndalur tek investimet konkrete, Administratori i OSHEE-së tha se 991 milionë lekë do të investohen në ndërtim Nënstacionesh; 2.73 miliardë lekë në ndërtim rrjeti TM dhe Kabina transformimi; 820 milionë lekë në Ndërtim rrjet TU ABC; 711 milionë lekë në sistemin e matjes.

“Me investimet ne synojmë: Rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në ato zona të cilat kanë pasur problematikë më të madhe të kësaj natyre sipas kategorisë së konsumatorëve bazuar mbi analizat e viteve të fundit; Përmirësimin e nivelit te humbjeve teknike dhe jo-teknike duke përzgjedhur zonat më problematike; Rritjen e sigurisë së impianteve për të garantuar personelin, komunitetin dhe vet impiantin. E thënë më qartë, me këto investime, ne parashikojmë t’i ulim humbjet me 4.1%, që do të thotë një vlerë e kursyer me të paktën 20 milionë dollarë!!”, deklaroi Çela.

Gjithashtu ai tha se investimet përfshijnë edhe nënstacionet. “Për nënstacionet, kemi në plan ndërtimin e  Nënstacionit 110/35 dhe10 kV Çorovodë;     Fuqizimin e Nënstacionit Qendër; Rikonstruksionin e Nënstacionit Golem; Rikonstruktohen nga ana ndërtimore Koçuli në Vlorë, Hysgjokaj në Berat si dhe rikonstruksioni ndërtimor i 10 Nënstacioneve të ndryshme në Veri si dhe ndërtimin e n/stacionit të Gjirokastrës. Këto janë investime mjaft strategjike, që krahas garantimit dhe rritjes së cilësisë së furnizimit do të ketë edhe një impakt pozitiv përsa i përket rregullimit të humbjeve teknike”, tha Çela.

Ai veçoi për sa i përket investimeve në tensionin e ulët dhe rrjetin ABC, investimet në zonën e Kënetës, Spitallës, në zonat më problematikë të Tiranës dhe rajonet e tjera sipas zërave në tabelën e investimeve të shpërndara në çdo rajon.

“OSHEE nuk do të ndalet këtu, pasi në investimet tona parashikohen edhe projektet inovative, kryesisht, në drejtim të shërbimit ndaj konsumatorit, me vlerë afro 5 milionë dollarë. Të tjera projekte janë gati dhe kanë nisur implementimin, si pagesa e faturës së energjisë elektrike me kartë bankare kudo që ndodheni, pagesa përmes telefonit celular, sikurse kemi lidhur kontratë bashkëpunimi me pikat e transfertave. Projekte ambicioze në drejtim të sigurisë së të dhënave është ajo e Smart Maters (matësat inteligjentë) dhe SCADA”, përfundoi Çela.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: