“Pasaporta e Musa Baculi u bë brenda një dite, i falenderoj të gjithë ata që ndihmuan në arritjen e kësaj vepre të mirë” kështu shkruan në rrjetet sociale Elvis Naçi, i cili është angazhuar për ti shpëtuar jetën 15 vjeçarit, i cili prej rreth tre muajsh ndodhet në reanimacionin e spitalit rajonal të Shkodrës.

Elvis Naçi, hoxha i njohur që bën emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” në News 24, ka marrë përsipër si rast për t’i gjetur përmes humanizmit të qytetarëve shumën prej 50 mijë euro që duhet në mënyrë që 15 vjeçari të kurohet në një spital të Genovas në Itali.

Pajisja me pasaportë për adoleshentin e sëmurë ishte një domosdoshmëri por ai nuk mund të lëvizte nga shtrati për tu pajisur.

Elvis Naçi bëri thirrjen për ta ndihmuar Musain dhe në kohë rekord një ekip nga kompania ALEAT,  së bashku me aparaturat përkatëse kanë udhëtuar në kohë rekord në drejtim të qytetit të Shkodrës për të kryer procedurat. Punonjësit  e kompanisë ALEAT kanë shkuar në spital ku ndodhet pacienti dhe i kanë marrë shenjat e gishtave si dhe i kanë bërë foton përkatëse.

Musai u pajis brenda ditës më pasaportë pa lëvizur nga shtrati. Sfida e parë tashmë quhet e kaluar por mijëra euro i duhen adoleshentit për tu kuruar jashtë vendit më konkretisht në Itali në spitalin e Genovas.

Aksioni vazhdon, shkruan Elvis Naçi, jemi bashke me nenën e Musa Baculi me shpresën se Musai do shpëtoje, te gjithë bashke ne ketë rast tragjik për te shpëtuar një jete!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb