ITALI- Një 15-vjeçar shqiptar i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike duke u hedhur nga tarraca e një objekti fetar në Bresha, Itali.

Ngjarja ka ndodhur dje ku 15-vjeçari i cili jetonte me familjen në Carpenedolo u vetëvra pa asnjë shkak. Për të gjithë mbetet ende një mister dhe nuk dinë të japin një shpjegim as më të vogël për arsyet e këtij akti të rëndë.

Adoleshenti ka hipur në shenjtoren e “Madonna del Castello”, një perlë arkitektonike e zonës ku shumë të rinj dhe të rritur shpesh përshkojnë shkallët e jashtme të ndërtesës fetare për të shkuar në tarracë, e cila është rreth dymbëdhjetë metra e lartë.

Ata e bëjnë këtë për të përjetësuar në fotografi dhe video, që më pas i postojnë në rrjetet sociale, për të marrë qindra “pëlqime”, pamjet që të lënë pa frymë.

Të njëjtën gjë ka bërë 15-vjeçari, por me një qëllim shumë dramatik. Ai e ka shkrepur një foto në fakt nga ballkoni për ta postuar më pas në Instagram por me 2 data, atë të lindjes dhe 25 prillin 2016.

Pikërisht në ditën e festës së çlirimit të Italisë, djali është hedhur nga tarraca në hapësirë në një lartësi rreth 10 metra, duke i dhënë fund jetës.

Trupi, mes një pellgu gjaku dhe pa jetë është gjetur më pas përtokë. Për episodin po hetojnë karabinierët, por duket se motivi është i lidhur me faktin se i riu ishte fshirë nga lista e miqve në facebook nga ana e një shoqeje.

15-vjeçari më pas kishte hequr çdo referim të vajzës nga profili i tij duke nisur nga fotot. Të parët që janë marrë në pyetje nga forcat e rendit kanë qenë miqtë, të dëshpëruar për çfarë kishte ndodhur dhe mbi të gjitha për motivet që e kishin shtyrë në këtë gjest. Për më tepër djali kishte shkruar një sërë postimesh në profilin e tij duke zbuluar një gjendje shpirtërore negative.

Familja e 15-vjeçarit nuk është marrë në pyetje ende sepse ndodhet në gjendje shoku. Mediat lokale italiane shkruajnë se e gjithë kjo ngjarje është fryt i një shoqërie rinore që jeton gjithnjë e më shumë në realitetin virtual në vend të atij human.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: