Nga FATMIRA NIKOLLI*

Shqipëria e viteve 1970. Një ndodhi në jetën e Hekuran Zhitit është bërë pikënisja e një drame që tregon raportet e krijuesit me diktaturën. “Departamenti A. P” (Agjitacion e Propagandë) është një parodi dramatike që fokusohet në realitetin e marrëdhënieve të krijuesit në kushtet e diktaturës, nën kushtet e shtypjes së pushtetit, ku censura, e nëpërkëmbja asfiksojnë dhe depersonalizojnë individin. E shkruar nga Jeton Neziraj, një emër që gjithnjë e më tepër, lakohet si një prej dramaturgëve më të suksesshëm, sjell një vepër ku shpërfaqet inteligjenca, absurdi, paradoksi, farsa skenike, satira e sarkazma.

Drama, nën regjinë Adonis Filipit, do të marrë pjesë në Festivalin Ballkanik të Teatrit në Bursa të Turqisë. Ai mbahet në datat 7-27 mars dhe “Departamenti AP”, shkon si bashkëprodhim shqiptaro-kosovar, mes Teatrit “Skampa” dhe teatrit “Adriana Abdullahu” të Ferizajt. Regjisori Adonis Filipi tregon detajet.

Cila është rëndësia e pjesë-marrjes së “Departamentit AP” në Festivalin Ballkanik të Teatrit?

E rëndësishme është se promovohet teatri shqiptar përtej kufijve. Është një vepër që ka ngjallur interesin e specialistëve, sepse fakti që përzgjidhet për në festivale tregon se ajo paraqet interes. Për mua si krijues, është një vepër që meriton vëmendje në dy aspekte. Ne po shkojmë me një vepër shqiptare. Ajo i përket një prej veprave më bashkëkohore të teatrit shqiptar, siç është dramaturgu Jeton Neziraj. Shfaqja është një punë serioze, që ka dramaturgji skenike (është gjë tjetër dramaturgjia e veprës). Është punuar me dashuri dhe ndoshta është i pari model shqiptar i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, i cili edhe në pikëpamjen menaxheriale është materializim konkret i politikave që kërkohen. Është bashkëprodhim i ndarë përgjysmë si në buxhet, edhe në trupën e aktorëve. E kemi nisur unë dhe Jetoni me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit dhe Bashkisë së Ferizajt.

Vepra hidhet pas në kohë. Viti 1970 dhe raportet art-shtet. Si vjen kjo në skenë?

Duke u fokusuar te dramaturgjia, do të nxjerr faktin se problematika që trajton vepra është shumë interesante. Ajo pikënisjen e ka marrë nga një tregim i Visar Zhitit, mbi të atin. Më pas është meritë e dramaturgut, i cili një ngjarje që fokusohet në vitet 1970, në Shqipëri, që trajton raportet e individit me diktaturën, krijuesi me diktaturë është trajtuar jo në mënyrë skematike, por me shumë inteligjencë. Dialogu është i shkrifët, konkret dhe vepra si strukturë dramaturgjike për mua përbën risi. Është kjo lloj dramaturgjie që edhe ne na provokoi si krijues.
Vepra ka edhe një gjuhë provokative skenike. Si performancë është parë si grotesk inteligjent dhe mjaft argëtues, ka prirje mes satirës e sarkazmës. Vepra ka qenë një proces kërkues, ku metafora e ku figuracioni është i prekshëm. Ku madje edhe muzika afron komoditet për përcjelljen e provokimin emocional spektatorit, e cila bëhet shpresë amplifikuese e mendimit dramaturgjik skenik. Tema bazë e muzikës së shfaqjes është përsëri shqiptare mbi motivet e këngës “A s’aman trandafili çelës”.
Kjo është bukuria e kërkimit skenik, që i referohesh një dramaturgjie e cila të provokon dhe ti e shpreh përmes unit tënd kreativ. Ne jemi përpjekur të kemi individualitet dramaturgjik skenik.
Për “Departamentin AP” puna jonë ka filluar vitin e shkuar. Kasti përbëhet nga Rina Narazani Sojli, Rezart Barioti, ndërsa nga pala kosovare aktore është Dardana Mehmeti, e cila u vlerësua në Festivalin e Rumanisë, është edhe Shpëtim Selmani i cili është protagonisti.

Një skenografi minimaliste. Me këtë do shkoni në Bursa?

Skenografia ka qenë pjesë e perceptimit tim. Përgjithësisht punoj me dekor minimalist, pasi kështu përqendrohet vëmendja tek aktori. Teatri është aktor, jo dekor. Ndërsa kostumografia është e Blagoj Micevskit, me të cilin bashkëpunoj prej vitesh. Lëvizja skenike është e koreografit Ilirian Sulka, i cili është edhe drejtori përgjegjës i teatrit ‘Skampa’ në Elbasan.

Rrugëtimi në Burse çfarë i jep dramaturgjisë shqiptare?

Mendoj se duhet të jemi krenar se shkojmë me dramaturgjinë tonë. Unë vura re se atje trupat ballkanike prezantohen me “Ëndrra e një nate vere”, “MC Donald”, “Bernarda Alba” ndërsa pjesa jonë është shqiptare. Ky është shërbimi më i mirë se tregon që ne kemi dramaturg dhe them se dramaturgjia e Jeton Nezirajt meriton vëmendje.

Është folur shpesh për mungesë dramaturgjie shqiptare. Përkrah kësaj është përmendur Jeton Neziraj, ai krijuesi që i sfidon mohimet për mungesë dramaturgjie. Çfarë e bën atë të veçantë?

Aq sa e njoh është krijues i lirë dhe i talentuar. Jeton me profesionin e tij dhe është thelbësore të themi se është shumë origjinal. Dramaturgjia e tij është provokuese e inteligjente, e kjo e bën atë bashkëkohore. Ai të jep mundësi ta shohësh në mënyra të ndryshme një tekst dhe ndihet kjo lloj inteligjence, kjo frymë e kërkimit estetik. Dramaturgjia e tij kërkohet sot në skena përtej kufijve tanë, Itali, Zvicër e Francë tregon se është një dramaturg që ka dramaturgji potenciale.

Projekte të tilla kanë nevojë të nxiten më tej. Ne duhet t’i imponohemi politikës që të mbështeten projekte të tilla, sepse ka ardhur koha që shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vokacionit të vendit tonë është përmes kulturës, artit dhe jo propagandës.

Vlerat e vërteta i japin kredo një vendi. Ne kemi respekt Francën, por atë e identifikojmë përmes Hygoit e personaliteteve të tjera të artit.

Vetë funksioni i artit ka synim jo vetëm argëtimin, po rrit mirëqenien, zgjon mendime, ka karakter edukues e civilizues.

Këtij rrugëtimi të shfaqjes, pse i ka munguar Tirana?

Ka pasur probleme menaxhimi i produksionit. Janë në bisedime që të vijë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: