Emigracioni është një ndër temat më aktuale në Shqipëri. Shumë familje shqiptare për të pasur një jetë më të mirë detyrohen të emigrojnë.

ADRA Albania organizata jofitimprurëse që operon në Shqipëri që nga vitit 1991 me projekte në ndihmë humanitare ka vendosur të organizojë projektin ‘Return to Thrive’ me mbështetjen e GIZ dhe financim nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Sipas Altin Rexhepit, drejtorit të ADRA qëllimi kryesor është lehtësimi i proçesit të integrimit në shoqëri të fëmijëve dhe të rriturve të rikthyer nga emigracioni.

“Shumë përfaqësues të komunitetit Rom duhet të ktheheshin nga Gjermania, nga vendet e BE dhe qëllimi i projektiti ishte kryesisht t’i asistonte ato në tregun e punës. Duke qënë se është një komunitet me shumë problem, ku shkalla e edukimit është mjaft e ulët dhe integrimi në tregun e punës bëhej shumë sfidues, për këtë arsye ADRA mendoi se përpara se t’i integronte në tregun e punës duhet t’u ofronte këtyre njerëzve bazat e edukimit. Shumë nga ata ishin njerëz që nuk shkruanin dhe lexonin dhe e imagjinoni sesa e vështirë është për këta njerëz të integrohen në tregun e punës”,- tha Drejtori I ADRA-s, Altin Rexhepi.

Artan Kruja pjesë e komunitetit Rom dhe një nga përfituesit e projektit ‘Return to Thrive’ thotë se falë projektit romët dhe egjiptianët kanë përfituar në shërbimet publike, arsim dhe tregun e punës.

“Sidomos kjo lagje këtu ka emigrantë të rikthyer nga Gjermania dhe Franca dhe organizata ADRA këtë ka pasur projekt për Romët dhe egjiptianët. Kjo është një zonë me 2 komunitete rome dhe epigjiptiane. Falë ADRA-s, 7 persona këtu janë futur në punë, 5 persona të tjerë kanë marrë diploma në kurset profesionale si: rrobaqepsi, këpucari. ADRA ka bërë shumë për komunitetin sidmos tek arsimi dhe punësimi”, tha ai.

430 të rritur dhe 358 fëmijë janë këshilluar dhe mbështetur për t’u riintegruar sa më mirë në komunitet dhe shoqëri pas rikthimit nga emigracioni.

“Kemi arritur që të integrojmë shumë fëmijë në shkollë, mund të përmend diku te 75 fëmijë të regjistruar për herë të parë në shkollë, në zonat e Krujës dhe Tiranës por jo vetëm fëmijët dhe të rriturit kishin problem me shkrimin dhe leximin”,- theksoi drejtori i ADRA-s, Altin Rexhepi.

Projekti ‘Return to Thrive’ është zbatuar në dy rajone Krujë dhe Tiranë prej Janarit 2019.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb