Pasdite… I ulur në një plazh, drithërat e rërës i përkëdhelin kofshët. Muskujt janë të tendosur, këmbët njëra mbi tjetrën. Nuk ka më fizikun e dikurshëm, por sërish është i lumtur. Kostumi i kaltër i rri pak ngushtë dhe i lë një shenjë në kofshë. Me dorën e djathtë luan me rërën, në të majtën mban një gotë plastike me birrë.

Mban syze dielli me pasqyrë të cilat i ka blerë në një tezgë për pak të holla. Dielli është i fortë dhe “i përplaset” në fytyrë. Ndjen djersën teksa i rrëshqet si një ujvarë pas veshit, teksa pas qafe është formuar një pellg djerse…

Ngre gotën e birrës dhe e pi sikur të ishte e para e ditës. Në të vërtetë, është e treta. E ndërsa ngre një dolli imagjinare me veten, disa pika alkooli i bien mbi trup…

Sikur ato pika e zgjojnë. Kthen kokën majtas dhe djathtas, por vajza që kishte mbërritur me të në plazh është zhdukur. Eshtë i vetëm dhe aty nis të mendojë… Të kujtojë ato momente kur ishte më i ri dhe më muskuloz, por sidomos më i fuqishëm.

Rikujton ato imazhe kur në Empoli shkoi poshtë tribunës së tifozëve të Interit, në ndeshjen e fundit të kampionatit, duke bërë një sfilatë dhe duke hequr fanellën. Një fizik i skalitur në bronx… Ai, Adriano Leite Ribeiro, duke pozuar si një statujë, pas një tjetër goli.

Në vendin ku më parë ishin muskujt e barkut, tani është vetëm një… bark. Rimendon për të gjithë këto gjëra Adriano. Për vuajtjen, lodhjet dhe sakrificat që e nxorrën nga varfëria, për t’i shfaqur botës talentin që zotëronte dhe potencialin që bashkë me të kishte lindur. Një talent i çuar dëm

E çon dorën e djathtë mbi fytyrë dhe, me gishtat e pisët dhe me rërë, fshihet poshtë syzeve, duke i spostuar ato. Një tjetër pikë birre bie mbi kostumin e tij të kaltër… Jeta ka ndryshuar për të, njëherë e përgjithmonë. Mund të ishte bërë dikush, por preferoi të mos ishte dikush…

I rritur në varfëri dhe mes plumbave

Gjithçka nisi në një favela të Brazilit… Adriano Leite Ribeiro lindi aty ku të bëhesh futbollist është një fat i pashmangshëm. Ishte më i forti nga të gjithë. Fizik potent, këmbë të një mbrojtësi krahu dhe një fuqi e energji që mund të kthente edhe dallgët e Oqeanit që “puth” Brazilin.

Rritet në një lagje, favela quhet në Brazil. Duket një stereotip për ata që nuk janë brazilianë. Dhe pikërisht në atë lagje jeton me të atin Almir Leite Ribeiro. I ndajnë 20 vite, por janë si vëllezër.

Almir dëshiron që i biri të çajë përpara, Adriano nuk do të ndahej kurrë nga i ati. Por, fati kishte përgatitur një skenar tjetër për ata të dy. Vetëm pak vite dhe një plumb përfundon në kafkën e Almirit, që ndodhej në atë vend rastësisht. Dy banda ishin duke larë hesapet, diçka që rëndomt ndodh në ato anë, çdo ditë.

Nga ajo ditë, Almir jeton me atë plumb në kafkë dhe Adriano betohet që nuk do ta lërë kurrë. Babai shkon ta shohë sa herë ka mundësi, rruga për suksesin është në ngjitje dhe familja nuk mund t’i lejojë vetes që të shpenzojë shumë para për të kënaqur ëndrrat e Adrianos.

Bën si shumë djem të moshës së tij dhe të zonës ku jeton. Zhvendoset me mjetet që kalojnë në atë rrugë. Nuk është kurrë në shtëpi dhe ndahet mes shkollës dhe fushës së stërvitjes. Bën mbrojtësin e krahut, por është një katastrofë në atë rol. Te Flamengo vendosin që ta spostojnë më përpara, sepse është i gjatë dhe shtati i tij është duke u formuar akoma më shumë.

Eshtë lëvizja më e drejtë për t’u bërë, ajo që shënon karrierën e tij në mënyrë pozitive. Debuton me skuadrën e parë në moshën 18 vjeç dhe në fund të sezonit ka shënaur dhjeta gola, shumë me atë të majtë që Zoti i ka dhuruar. Adriano është shumë besimtar, ashtu si babai Almir. Sa herë që porta shembet nga silurat e tij, ngre të dy duart nga qielli duke i hapur sa të ketë mundësi. Ka një forcë çnjerëzore Adriano dhe te Flamengo nisin të kurojnë teknikën.

Edhe këtu, zotërinjtë e klubit brazilian nuk gabojnë. Ka nga ata që betohen se kanë parë Adrianon në stërvitje duke kaluar pesë kundërshtarë dhe të çlirojë një goditje që duket sikur është lëshuar nga një makineri, për nga fuqia dhe forca.

Në Milano e mbajnë nën vëzhgim, kalon nga ngjyrat kuqezi te ato zikaltër. Madonina, qyteti i modës, pak ftohtë por edhe një ambient fantastik. Ka ardhur momenti që të ndahet nga favela braziliane, nga familja. Por, disa gjëra, dashur pa dashur, njeriu i merrka me vete, gjithmonë.

ZBARKIMI NE SERIE A: INTER, FIORENTINA DHE PARMA

Adriano lëshon një silurë në goditje dënimi që shkatërron tranversën, prek pjesën e brendshme të saj dhe kalon vijën e mesit. Eshtë një miqësore dhe festa nuk ka kuptim, por drejtuesit e Interit nisin të mendojnë: “çfarë kemi marrë në skuadër!”. Interi në “Bernabeu” sapo ka mundur Real Madridin 2-1 me një goditje nga vendi të Adrianos në minutën e 90-të.

Dhe, a e dini se çfarë bën Iker Casillas? Mundohet që të gjejë ku ka përfunduar topi. E megjithatë, ndeshja e parë nuk bind Hector Cuper, që vazhdon të mbajë djaloshin 18-vjeçar në stol, duke e hedhur gjatë ndeshjes. Sërish në të 90’, sërish një e majtë e pakapshme: kështu Adriano prezantohet në “San Siro”, duke shënuar golin e fitores 2-1 ndaj Venezias dhe kthehet pas Vierit, Ronaldos, Kallonit dhe Ventolas në hierarkitë zikaltër. Nuk është i pranishëm në turpin e 5 majit, pasi është në huazim te Fiorentina ku shënon shumë por nuk shmang rënien në Serinë B.

Vesh fanellën me numër 90, ashtu si viti kur i ati Almir mori plumbin në kokë. Në fund të sezonit ka mbushur 20 vjeç, por luan si veteran. Parma e merr në bashkëpunim dhe me Mutu bëhet futbollisti më i tmerrshëm i Serisë A. Parma fluturon, fanella verdheblu e Adrianos është ajo e festës… Merr top në çdo zonë të fushës dhe lëshon bomba që portierët mund të ndalojnë vetëm me forcën e shpirtit. Në “Tardini” shënon shumë, por Parmalat vihet në mes, duke falimentuar klubin dhe ai kthehet te Interi.

E bën si i rritur dhe më shumë uri. Ndërkohë, kanë nisur ta thërrasin “Perandori”.

Në “San Siro” e adhurojnë. Gazetarët bëjnë shaka, por jo edhe aq. “Adriano është si Hulk, kujdes kur bëhet jeshil!”. Dhe, Perandori merr shpesh ngjyrat e bishës. Eshtë një nga sulmuesit më të mirë në botë.

Dita e pashmangshme vjen… Në vitin 2004, i ati Almir vdes. Lajmi mbërrin në veshin e Adrianos pak pasi ka fituar Kupën e Amerikës, ndërsa sulmuesi udhëton në Bari me Interin e tij. Diçka prishet, diçka ndryshon.

PIKIADA E PERANDORIT

Adriano vazhdon që të shënojë por ndonjëherë bie në një kurth të ngritur nga ai vetë. Në shtator të 2004-ës përballet me Udinesen dhe fiton i vetëm në 3 minuta. Potencë, teknikë dhe sidomos shpejtësi mendimi. Duket sikur kur lëshon të majtën e tij lan mëkatet. Njëherë mbërrin në “San Siro” Palermo dhe ai nuk shënon. Mjaftohet duke bërë goditjen në portë më të fortë në historinë e Serie A. Nga 35 metra dhe topi godet shtyllën duke iu kthyer thuajse mbrapa.

Në të gjithë Milanon dëgjohet jehona e atij topi që godet traun e portës. Në Itali, Europë, me Brazilin, Adriano shënon gjithmonë, është deçiziv.

Pikërisht atëherë kur mendohet se ka arritur majën, vjen zbritja… Pas vdekjes së të atit truri i tij nuk është më si më parë. Godet me grusht Caneira në Champions, nuk prezantohet në stërvitje dhe ai fizik perfekt nis të rrumbullakoset. Qarkullojnë foto me shumë vajza, shumë alkool… Qëndron më shumë në klube nate se sa në fushë. Nisin rrëfime mbi të, si pornostarja Edelëeiss dhe Adriano del i shkatërruar.

Massimo Moratti është një baba për shumë futbollistë të Interit, sidomos për amerikanolatinët. i përkëdhel, i mbron. Të njëjtën gjë bën edhe me Adrianon, që e sheh veten të lirshëm për të bërë gjithçka që i vjen ndër mend. Raportet me trajnerin Roberto Mancini janë gjithmonë e më shumë të tensionuara.

Grindet nëpër lokale nate. Në Milano nisin ta kuptojnë se tashmë po merr tatëpjetën dhe e nisin në Sao Paolo.

Në Brazil kthehet të shënojë, më pas sërish në Itali, aty ku Mourinho nuk e duron dot. Sërish në Brazil, më pas Roma dhe një rreth vicioz. Shëndoshet, konsumon shumë alkool dhe në stërvitje prezantohet i dehur. Pra, vetëshkatërrohet.

RIKTHIMI NE BRAZIL

Megjithatë, Adriano mban gjithmonë atë fytyrë të qetë dhe të lumtur që i vogël e karakterizonte, kur merrte autobusin për të shkuar në stërvitje. i jep fund futbollit, por kurrë zyrtarisht. Mbi të mendohet më e keqja, depresioni dhe madje vetëvrasja. Fatmirësisht, nuk do të ndodhë.

Perandori vijon të shtojë kilogram. E gjen nëpër plazhet e Rios mes festave private dhe alkoolit lumë. Trajnerët duan që ai të stërvitet, por e vetmja gjë që bën është të marrë rreze dielli në Copacabana, Ipanema dhe Leblon. Brazili është toka e tij, në asnjë vend tjetër nuk mund të shfaqë talentin si aty.

Rimendon kur isha Perandor, Perandori… Sheh këmbën e majtë, as ajo nuk i ka shpëtuar shkatërrimit të jetës. i afrohet një top me të cilin disa djem pak larg tij në rërë janë duke luajtur. As nuk merr mundimin të çohet por e godet ulur dhe topi përfundon në duart e djalit që e ndiqte.

E ndjen nevojën për të luajtur, ka parë që cilësitë nuk i mungojnë, por dëshira është e barabartë me zero. Konsumon gllënkën e fundit të birrës, shtrihet me duart pas koke, me syze dhe nis të marrë diell. Një figurë femërore i bën hije. Eshtë ajo, është kthyer. E përqafon dhe shtrihet me të, ndërsa futbolli është mendimi i fundit.

Sipas shtypit brazilian, sot Perandori jeton në një favela, pra lagje, në Vila Cruzeiro, një ndër më të rrezikshmet dhe të varfërat e qytetit. Madje, i duhet që të paguajë një shumë parash për të pasur mbrojtjen e një bande lokale, Red Command. Herët është fotografuar mes mitralozit, bandave lokale, pistoletave dhe festave me drogë e alkool…

Dielli nis të perëndojë, ndërsa Adriano ka perënduar me kohë!/telesport

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: