Një ditë pasi GJKKO dënoi në shkallë të parë me 2 vite burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, Gjykata ka publikuar arsyetimin.

Llalla u shpall fajtor për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë. Sipas Gjykatës, dënimi do të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përveç dënimit me burg, vendosi që Llallës t’i hiqet për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike, ndërsa pasuria e tij kaloi në favor të shtetit. Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

  • foto galeri
  • foto galeri

Llalla është ish-zyrtari i parë që cilësohet fajtor nga Gjykata e Posaçme e ngritur në kuadër të reformës në drejtësi. Do duhet të pritet verdikti i Apelit për të parë nëse zoti Llalla do të futet pas hekurave për të vuajtur dënimin.

Kujtojmë se hetimi u çel menjëherë pas largimit të tij nga institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili doli nga sistemi duke mos iu nënshtruar vettingut. Dosja kaloi në disa prokurori pasi të kalonte në SPAK. Në morinë e hetimeve SPAK iu drejtua institucioneve të huaja ligjzbatuese dhe autoriteteve gjermane ku ish-kryeprokurori Llalla transferoi familjen e tij në vitin 2017 me arsyetimin se ishte i kërcënuar. Sipas Gjykatës qiraja për apartamentin në Gjermani, por edhe shpenzimet për lindjen e bashkëshortes së tij në SHBA, nuk justifikoheshin nga të ardhurat e ligjshme të ish-kryeprokurorit.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: