TIRANE- Kryeprokurori Adriatik Llalla ka ‘hapur’ të gjitha dosjet kundër ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu. Në një letër të bërë publike ditën e sotme, pas akuzave dhe kundërpërgjigjeve në distancë mes Lu-së dhe Llallës, ky i fundit ka bërë publike faktin se i është refuzuar viza amerikane, bashkë me Drejtorin e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi.

Po ashtu, bazuar në këtë letër, që i është dërguar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta por dhe Presidentit, Bujar nishani, bëhet e ditur se viza u është refuzuar edhe prokurorëve të tjerë, ndërsa nuk bëhen publike emrat. Ndërkohë, siç është raportuar edhe në mediat, bashkëshortja e kryeprokurorit ka lindur djalin e saj në Amerikë.

“Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.”, thuhet në letër.

Sipas Llallës, refuzimet e vizës, lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu.

ADRIATIK LLALLA: AMBASADORI LU PO MË SHANTAZHON, PSE MU REFUZUA VIZA
Adriatik Llalla ka deklaruar në emisionin “Opinion” se bashkshortes së tij dhe atij vetë u është refuzuar viza amerikane. Nisur nga kjo, Kryeprokurori Llalla, është shprehur se ambasadori Lu po e shantazhon nëpërmjet këtij veprimi.

“Unë kam patur një kontakt me email me Ambasadorin, ku i kam shprehur qëndrimin tim. Pa rënë pre shantazhit të tij. Ambasadori po ushtron shantazh ndaj meje nëpërmjet këtij fakti”, është shprehur Llalla.

“Në 31 dhjetor bashkëshortja ime lindi në SHBA dhe po atë ditë me vjen në mënyrë të papritur një email që më njofton pamundësinë e vizitës time”.

Fevziu: Thoni që ambasadori po ushtron shantazhe ndaj jush duke ju hequr vizën?

“Kërkohet që një pjesë e tyre të largohen në mënyrë vullnetare nga sistemi i drejtësisë në vend. Viza ime ishte diplomatike, që i jepet çdo zyrtari të lartë. Në dijeninë time janë shumë anëtarë të sistemit të drejtësisë që u është refuzuar viza”, tha kryeprokurori.

“Për këtë fakt kam vënë në dijeni Presidentin dhe kryetarin e Kuvendit”, tha Llalla.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: