TIRANE – Në mbledhjen e sotme të komisionit për ekonominë dhe financat u diskutua projektligji për aeroportin e Vlorës.

Të pranishëm në këtë diskutim ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri si dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.

Sipas ministrit Gjiknuri, kapacitetet e Aeroportit të Rinasit janë të pamjaftueshme në një kohë kur ka dyfishim të kërkesave për fluturime nga vende të ndryshme.

“Ngritja e aeroportit të ri në jug është një investim që do ta marrë konsorciumi turk. Do kemi një rritje ekonomike jashtëzakonisht të madhe,” tha Gjiknuri.

Po ashtu edhe ministri Ahmetaj tha se aeroporti i Vlorës do t’i hapte rrugën një mundësie të re për fluturimet.

“Do i hapim rrugën një mundësie të re për fluturimet. Është bërë një punë e menduar mirë, grupi që ka sjellë propozimin është një nga kompanitë më të mëdha në botë, që ndërton aeroportin e Stambollit. Hyrja në tregun shqiptar e një aeroporti tjetër do sjellë një liri të konkurrencës në këtë sektor. Aeroporti i Vlorës mendohet që në fillesat e veta, do të arrijë në 600 mijë pasagjerë dhe me atë rritje që duket që ka lëvizshmëria, parashikimi që bën kompania është 7% rritje për vit të numrit të pasagjerëve. Duhet të theksojmë që financimi nuk do të bëhet nga shteti shqiptar, por me fondet e kompanisë.  Për aeroportin mendohet të investohet 100 mln euro,” u shpreh Ahmetaj.

Të dy ministriat thanë se propozimi është mbështetur në kushtetutë nga ana ligjore, dhe po kërkojmë autorizimin në emër të Republikës së Shqipërisë për interesin e vendit që të nisim negociatat.

Skeptike për projektin ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Ajo ka pyetur dy ministrat se pse ky projekt nuk i nënshtrohet ky projekt ligjit të koncesioneve? Lidhur me garancinë sovrane për trafikun e munguar ajo shtoi se sipas rregullores së BE po thyhen rregullat se çdo ndikim financiar që vjen nga buxheti i shtetit që është në distancë më të vogël se 100 metra.

Një tjetër shqetësim i saj ishte mungesa e përvojës së kompanisë turke. “Duhet që të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë në operim, nuk e plotëson kjo kompani këtë kriter, tha Tabaku, duke shtuar se nuk është e qartë se cila është baza ligjore në Kushtetutë që referohet për këtë marrëveshje.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb