Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka shpjeguar në studion e emisionit “Opinion” procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke shpjeguar që ai ka ndjekur rrugën institucionale, lidhur me respektimin e afatit 30 ditor të emërimeve në këtë gjykatë.

“Çfarë mund të bëjë Presidenti kur qeveria, ministria e Drejtësisë dhe pushteti gjyqësor, Dvorani, bëhen bashkë dhe komplotojnë. Gjykata Kushtetuese është Kushtetuta e Shqipërisë, është sovraniteti dhe integriteti i vendit. Ata nuk kishin plan t’i rrëmbenin vetëm një emër Presidentit, por kishin plan t’i rrëmbenin dy. Ku ishte hileja në listë? Ata futën në listë njërin që nuk kishte kaluar Vettingun, pasi unë kisha thënë që nuk duhej zgjedhur ndonjë pa Vetting. Dhe plani i tyre është t’i rrëmbejnë të gjitha. Ta dijë çdo shqiptar, se është i rrezikuar për veten e vet. Është rrezik dhe katastrofë”, tha Meta.

Më tej, Presidenti deklaroi se “Ligji ka parasysh që Ilir Metës i fillon afati kur kuvendi ka zgjedhur të parin, sepse kushtetuta flet për një vakancë për 30 ditë, nuk flet për dy vakanca ose tre vakana të menjëhershme. Dhe arsyeja që është bërë kjo gjë, dhe e ka bërë vetë Venecia, është se mund të qëllojë që Presidenti dhe shumica të jenë të një linje politike, dhe ata mund të mbushin gjashtë të parët, marrin shumicën absolute i shtyjnë dhe ato të tjerat dhe mbarojnë punë. Prandaj është bërë për të ruajtur balancat e Gjykatës Kushtetuese.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu përse nuk ja ka thënë Dvoranit dhe KED që pasi t’i conte parlamenti të fillonte koha e tij, Meta u shpreh se ky informacion është dhënë për të disatën herë që në datën 5 Nëntor. Meta u shpreh se për këtë fakt është vënë në dijeni, Kryetari i Kuvendit Ruçi, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, vetë Dvorani dhe të gjitha ambasadat e huaja. Sipas Metës, kjo është bërë me qëllim ruajtjen e kushtetueshmërisë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb