Kryeministri i Kosovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të regjistrohen për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor.

Kurti përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, ka pohuar se vota e diasporës është shumë e rëndësishme.

“Deri me datë 18 gusht është afati i regjistrimit për të votuar prej jashtë vendit. Nxitoni, regjistrohuni, dhe ndihmoni e inkurajoni të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë. Është e një rëndësie edhe më të lartë se zgjedhjet qendrore pjesëmarrja e mërgatës në zgjedhjet lokale që do të mbahen me datë 17 tetor. Vota e juaj shumë herë është treguar vendimtare në përcaktimin e kursit politik e zhvillimor që ka marr vendi, andaj mos e lëni për ditën e radhës apo ditën e fundit, aplikoni sa më parë dhe hyni në rrjedhën teknologjike që do ju përcjellë me instruksione deri në ditën e votimit”, ka deklaruar Kurti.

Më tej ai ka shtuar se “qyteti e lagjja, komuniteti e familja, kushtet më të mira për jetë dhe mundësitë tona për zhvillim janë të lidhura me nivelin lokal para së gjithash andaj t’ia njohim rëndësinë e vërtetë zgjedhjeve të 17 tetorit”.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ndërkaq subjektet politike kanë kohë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb