Të gjitha njësitë administrative të Tiranës po punojnë edhe këtë të shtunë dhe të dielë për të pritur qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët plotësojnë formularin online për të përfituar nga programi i rindërtimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Ervin Bushati, ndoqën sot procesin e aplikimit në Njësinë 8, prej nga u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të aplikojnë përpara datës 28 shkurt.

“Dua të falenderoj stafin, i cili është mobilizuar që të shtunë e të dielë, nga ora 08:00 deri në 20:00, e mandej gjithë javën, deri në 28 shkurt, të presin qytetarët për t’i ndihmuar të aplikojnë për projektet e rindërtimit. Lajmi i mirë që na erdhi nga Brukseli, me mbledhjen e 100% të fondeve të kërkuara nga Kryeministri, na bën që të mobilizohemi në këto ditë të fundit, për t’u siguruar që asnjë qytetar i dëmtuar të mos ngelet i pakompensuar”,- tha Veliaj.

Ai apeloi që ky proces i rëndësishëm të mos lihet për në momentin e fundit sepse afati mbaron më 28 shkurt. “Ju lutem bëni aplikimin, kushton vetëm 5 minuta!

Do merrni një faturë, statusi i të cilës mund të ndiqet edhe në internet përmes një bar-kodi, dhe më pas të kemi një mundësi të shkëlqyer që, aty ku është për të dhënë dëmshpërblim, të japim dëmshpërblimin, aty ku është për të bërë rindërtim, të bëjmë rindërtimin. Është një mundësi ideale që fatkeqësia e tërmetit të kthehet në një avantazh për zhvillimin ekonomik të të gjithë Tiranës, por edhe për zhvillimin e çdo familje që do të rregullojë shtëpinë e saj”, nënvizoi Veliaj, teksa shtoi se kjo është edhe një mundësi për t’i bërë gjërat më mirë dhe ndërtime më të qëndrueshme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryebashkiaku sqaroi se qytetarët që nuk ndodhen në Shqipëri ose për ata që e kanë të pamundur të paraqiten në sportele, aplikimi mund të bëhet nga një përfaqësues ligjor ose familjar, për të cilin kanë lëshuar një prokurë përfaqësimi për të kryer veprime në llogari të tyre. Sa i përket banorëve që jetojnë në pallate të dëmtuara, Veliaj tha se për të përfituar dëmshpërblim, duhet të aplikojë çdo posedues apartamenti dhe nëse janë dy kurora, atëherë të dy kurorat do të duhet të bëjnë deklarime.

“Çdo apartament duhet të bëjë aplikimin e vet sepse kur janë dëme që do jepen me dëmshpërblim, pagesë në dorë, atëherë secila familje do të marrë fondin e vet me të cilin do bëjë rregullimet. Nuk mjafton vetëm një aplikim për shkallë, por duhet secili apartament të jetë i deklaruar dhe të bëjë një kërkesë për rimbursim. Në qoftë se 26 nëntori ju kapi dy kurora në një shtëpi, të dy kurorat duhet të bëjnë një deklarim dhe pastaj do të respektohen si dy familje të ndryshme”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe atyre familjeve që jetojnë në zonat rurale, ku kërkoi prej tyre që fillimisht të plotësojnë formularin për të deklaruar dëmin dhe në një fazë të dytë të vendosin nëse do të duan të zhvendosen në lagjet e reja.

“Përsa i përket shtëpive në fshat, mund të ketë disa që hezitojnë dhe thonë: Unë s’jam gati të lë fshatin periferik për të ardhur në fshatin qendror, kështu që s’po aplikoj fare. Ti apliko që të marrësh shtëpinë, pastaj e diskutojmë ia vlen më mirë që të bëhemi bashkë? Deri në datën 28 shkurt, kush është i dëmtuar duhet të aplikojë dhe pastaj sesi rigrupohemi në fshatra të ndryshëm, nëpër qendra ku është shkolla, kopshti, çerdhja dhe qendra mjekësore, ky është një diskutim i mëvonshëm, por nuk është alibi për të humbur rastin për të aplikuar”, u shpreh Veliaj.

Deputeti i PS në Njësisë 8, Ervin Bushati tha se ky projekt është një mundësi që si shoqëri të dalim të gjithë më të fortë. Kërkesa do të regjistrohet në platformën “Shtëpia Ime” nga stafet e dedikuara në sportele, të cilat me pëlqimin tuaj, do të marrin përgjegjësinë e plotësimit të gjithë dokumentacionit të nevojshëm brenda 30 ditëve nga dita e aplikimit, për të kaluar në fazën tjetër të përfitimit. Për të kryer procesin e aplikimit nevojitet që qytetari të paraqitet me Kartë identiteti ose pasaportë, si dhe çdo dokument që provon pronësinë e objektit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb