TIRANE – Analisti dhe gazetari Andi Bejtja e cilëson të pazakontë sjelljen e kryeministrit Rama lidhur me çështjen e shumëpërfolur të CEZ-it. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Bejtja tha se kryeministri bëhet pengesë për hetimin ndërkombëtar, kur duhet të ishte promotori për zbardhjen e plotë të çështjes, nga ekspertë që nuk kanë lidhje me oligarkët në Shqipëri.

“Do të ishte mirë të kishte dhe hetim ndërkombëtar, sepse në fund të kësaj tymnaje kemi një kryeministër që i lëpihet partnerit të koalicionit dhe nga a na tjetër kemi një pengesë për të zbardhur një aferë që do t’i kthente ca lekë shqiptarëve. Rama bëhet penguesi kryesor, kur duhet të ishte promotor. Berisha dhe Meta u sollën si politikanë, ndërsa kryeministri Rama nuk e ka këtë status dhe kjo u kuptua qartë. Më mirë se një hetim ndërkombëtar nuk mund ta bëjë dikush tjetër. Ne na intereson të zbardhet çështja, nuk ka rëndësi kush është bërë pis më pak e kush më shumë.”- deklaroi Bejtja.

Sipas gazetarit Bejtja, “në këtë fazë që po kalon Shqipëria, oligarkia në Shqipëri është më e rrezikshme se vetë fenomeni i korrupsionit. Ky gjyq nuk mund të bëhet nga gjykatës shqiptarë të cilët janë të lidhur me këtë oligarki”.

Bejtja tha se Rama po i lëpihet partnerit të koalicionit, por sapo të kalojë edhe kjo fazë ai do ta godasë sërish.
“Karrigia e pushtetit e bën njeriun të mendojë ndryshe nga çmendojmë ne. Rama është mësuar të procedojë në këtë mënyrë. Do të kalojë dhe këtë fazë dhe prap do ta godasë partnerin e tij në një mënyrë apo në një tjetër, sepse votat e tij po ulen.”- deklaroi Bejtja.

Më tej, Bejtja theksoi se lufta për ta bërë Shqipërinë dy polare është mjaft e rrezikshme. Sipas tij, “e gjithë lufta e socialistëve është ca do bëhet me LSI, do ja fusim këtu, do ja fusim aty. Pra duke u marrë me këto punë do harrohen shumë gjëra të tjera që duhen bërë”.

Lidhur me liderin e opozitës, Bejtja tha se zoti Basha nuk është parë si lider që të fitojë një gjë vetë. “Nëse Basha bën politikë kulisash do mbetet aty ku është”-tha ai.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: