Pjesa e parë/ Skema e Pastrimit të Parave
Afera e inceneratorëve duket se po shkon drejt një drite të re, e cila po zbardh ditë pas dite, një nga aktet korruptive më të mëdha të 30 viteve të fundit të shpërdorimit të fondeve publike.

Ku tashmë enigma e pazbuluar nuk janë më thjesht emrat e përfshirë në këtë megaskemë, por se ku kanë shkuar paratë. Ato të cilat në fakt nuk u zbulohet kurrë destinacioni, pavarësisht se në bankën e të akuzuarve priten të shkojnë emra të përveçëm.

Ky është edhe qëllimi i këtij minidokumentari të emisionit “Në Shënjestër” në News24, të hedhë dritë se si tre biznesmenë fatlumë, që nuk kishin asnjë para mënjanë, ose që të paktën deklaruan shifra qesharake, mundën me duar në xhepa, t’i zhvatnin thesarit të shtetit miliona euro, pa bërë asnjë punë. Dhe kjo jo se një ditë, dielli lindi i bukur për ta, por falë ortakërisë me pushtetin dhe në mënyrë preferenciale me maxhorancën socialiste qeverisëse, që i ka ushqyer në një skemat grabitëse më spektakolare të të gjithë kohërave.

E ngjashme me dikur skemat piramidale, por ku tashmë pushteti i përdor paratë publike për të majmur biznesmenë pranë tij.
Dhe e gjitha kjo duke futur duart ligsht në thesarin e shtetit dhe duke përdorur skema pastrimi parash me anë shpikjes së inceneratorëve, të cilët edhe sot pavarësisht se gllabërojnë miliona euro nga buxheti i shtetit, vazhdojnë të mos djegin mbetje.

Ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë një kazan i madh mbetjesh urbane pavarësisht se miliona euro kanë shkuar për inceneratorë që vazhdojnë të dremisin.
Mjafton për këtë fakt të shikojmë fillimisht Inceneratorin e Fierit, ku qeveria ka dhënë 28 milion euro që të vihet në punë, ku edhe pse afati i fundit ishte 31 marsi 2021 për nisjen nga puna, ky incenerator vazhdon ende të flejë, paçka se kjo datë ishte një tjetër afat i shtyrë, i pa respektuar nga qeveria dhe ortakët e saj.
Kompania thotë se është ende në kolaudim, ndërsa paratë publike pavarësisht se inceneratori hesht, vazhdojnë të mbushin xhepat e administratorëve, ndërsa tymi i mbetjeve urbane që mbuloi Fierin verën e shkuar vështirë se do të pastrohet nga mushkëritë e qytetit që u asfiksua për ditë të tëra nga dioksidi i karbonit.

Një tjetër incenerator, edhe ky në letra, që ka grabitur miliona euro nga buxheti i shtetit, është edhe ai i Tiranës që në fakt ka mbetur vetëm një landfill pasi edhe këtu nuk incenerohen mbetje, pavarësisht se pushteti u ka dhënë deri më tani 40 milionë euro administratorëve.
Skemë e pastër pastrimi parash, që në total pritet t’u kushtojë xhepave të taksapaguesve shqiptarë plot 430 milionë euro, shifër kjo e përllogaritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Skemë, që çdo ditë e më shumë po nxjerrë të palarat e zyrtarëve të lartë të qeverisë, që nën dritën e fakteve të reja kompromentuese duket se po ndjejnë ftohtësinë e prangave që po prodhon, megaskandali i përfitimit të parave publike përmes krijimit të kompanive fiktive apo ndryshe kompanive të lindura nga hiçi që krijohen si mekanizma për të shtrirë duart thellë në parajsën e thesarit të shtetit, gjë e cila u la të kuptohet nën zë edhe nga Arjola Kodra në cilësinë e administratores së kompanisë koncesionare të kontraktuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, e cila përballë Komisionit Hetimor të ngritur për hetimin e inceneratorëve nga Kuvendi i Shqipërisë, pranoi se “Integrated Energy BV SPV”, ka bërë pagesa disa milionëshe për Klodian Zoton dhe Stela Gugallën.

Persona të cilët sot janë në kërkim ndërkombëtar për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Ajo që bën edhe më të rëndë aromën e inceneratorëve që vetëm mbetje nuk djegin, është fakti se të njëjtat kompani që kanë përfituar miliona euro nga inceneratorët inekzistentë, i kanë dhënë vetvetes miliona lekë për konsulencë, pra duke konsultuar vetveten dhe kjo, duke shpikur kompani bija që i administrojnë po vetë.
Nga dokumentet rezulton se kompania koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, e drejtuar nga Klodian Zoto me seli në Holandë, ka kontrata pune me dy kompani konsulence që drejtohen nga vetë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Kjo e fundit partnere e biznesmenit Mirel Mërtiri.

Nga verifikimi i pagesave që shoqëria “Intergrated Energy BV SPV” shpk ka kryer, rezulton se ndër të tjera është paguar shuma 658 milionë lekë të vjetra për Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan, nga të cilat kompania Zoto Consulting shpk, në pronësi të Klodian Zotos dhe 10 për qind në pronësi të Denisa Tollkuçit, ka përfituar për konsulencë ligjore 240 milionë lekë të vjetra.

Ndërsa kompania ‘Consulting SE Partners’ shpk, e Stela Gugalljas, ka përfituar për konsulencë financiare 418 milionë lekë të vjetra.
E njëjta skemë pastrimi parash duket se është përdorur edhe në Inceneratorin e Elbasanit, ku nga hetimet rezultoi se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, kishte përfituar 3.7 milion euro, përmes disa kompanive që kontrolloheshin indirekt po prej familjarëve të tij.

Skandal i cili thellohet më tej, pasi nga hetimet del se disa prej kompanive që kontrollonte në mënyrë indirekte ish-ministri Koka, shfaqen edhe në dy inceneratorët e tjerë, atë të Fierit dhe Tiranës. Njëra prej këtyre kompanive është PIVOT O4, e Arbër Denizit.

Kompani e cila në fillim shfaqet si nënkontraktore e “Albtek Energy shpk”, kompania e drejtuar nga Stela Gugallja, fituese e koncesionit të inceneratorit Elbasanit, por që më pas na del edhe në inceneratorin e Tiranës.

Nga verifikimi i pagesave të kryera për llogari të inceneratorit të Tiranës, PIVOT 04, shfaqet si nënkontraktore e kompanisë “Intergrated Energy BV SPV shpk”.
Kompania në fakt ka vetëm dy punonjës dhe asnjë mjet për të kryer punimet, por që mesa duket nuk e ka penguar shtetin ti ofrojë fonde publike për të kryer punime.
Po kështu ‘Pivot 04’, është nënkontraktuar edhe nga kompania ‘Integratet Technology Waste Treatment’. Kompani, e cila është kontraktuar për të administruar inceneratorin e Fierit.

Një tjetër kompani që shfaqet tek inceneratori i Tiranës, është ‘AS GROUP’ me administratorë, Jonid Murati dhe Skerdi Bello.
Edhe kjo kompani është nënkontraktuar nga ‘Intergrated Energy BV SPV shpk” e drejtuar nga Klodian Zoto, dhe ka përfituar shumën prej 20 milionë lekësh.
Ndërsa nga kompania fituese e inceneratorit të Tiranës del se janë nënkontraktuar edhe shumë kompani të tjera, të cilat rezultojnë të kenë si aksioner, Mirel Mërtirin, Stella Gugalljan dhe Klodian Zoton, apo persona të lidhur me ta.

Disa prej tyre rezultojnë të hetuar me herët për mashtrim me TVSH apo evazion fiskal.
Pra, ajo që del është se paratë publike kanë shëtitur nëpër një rrethi vicioz, nëpërmjet të njëjtave duarve që kanë gatuar skemën e grabitjes së parave publike.
Të cilat nuk janë askush tjetër përveçse, pronarëve të kompanive që kanë fituar koncesionet për 3 inceneratorët.

Por që duket se nuk janë të vetmit pa bekimin e zyrtarëve të lartë të maxhorancës në pushtet. Emrat të cilët sa vijnë dhe bëhen gjithmonë e më të qartë për SPAK, që ka rastin të tregojë integritetin për të cilin u krijua, të hetojë edhe politikanët e rangut të lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb