Analisti Erl Murati i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me situatën e hetimeve të çështjes “McGonigal” dhe lidhjeve të tij me Shqipërinë, teksa tha se kryeministri Rama nuk akuzohet thjesht për takimet e tij me ish-agjentin e FBI-së, por për një marrëdhënie klienteliste me të.

Sipas tij fakte të reja do dalin në dritë lidhur me këtë rastë në ditët në vijim dhe se e vetmja transparencë për rastin mund të vijë nga institcionet në Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër avokati Adriatik Lapaj ka deklaruar se nëse do të ishte pjesë e SPAK, do t’u drejtohej institucioneve partnere në SHBA për të marrë informacionet e nevojshme në lidhje me çështjen dhe më konkretisht do verifikohej dhënia e fushave të naftës në Shqipëri, nëse ato janë dhënë në përputhje me ligjin.

Murati:

Kryeministri nuk akuzohet thjesht për mënyrën e takimit të kryeministrit me McGonigal. Unë besoj se në çdo rast problematika është se në dosje dhe në mediat e huaja është se bëhet fjalë për një marrëdhënie klienteliste që ka pasur ai me Ramën dhe me gjasë edhe me politikanë të tjerë në rajon. Rasti konkret është marrë Shqipëria dhe besoj se fakte të reja do dalin në ditët në vijim. E vetmja transparencë për këtë çështje mund të vijë nga Amerika.

Sa i përket opozitës në tërësi jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi opozitën ideale, por nga ana tjetër kemi politikanë të tjerë që nuk janë të përmendur për korrupsion. Problemi është me opozitarizmin në tërësi, ku njerëzit e pastër nuk po arrijnë të dalin mbi ujë që të përfaqësojnë njerëzit. Kjo ka të bëjë edhe me problematikë sociologjike. As në SHBA nuk ka pasur presidentë 100% të pastër. Situata ideale është që politikanët të ndërrohen sa më shpesh, këtë shoh si të vetmen mundësi. Ne jemi i vetmi vend në Ballkan që të tre politikanët kryesorë i kemi nga vitet ’90.

Lapaj:

Po të isha anëtar i SPAK do i drejtohesha institucioneve partnere simotra në SHBA për të marrë informacionet e nevojshme në lidhje me çështjen dhe do verifikoja dhënien e fushave të naftës nëse janë dhënë në përputhje me ligjin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb