Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me situatën aktuale në Afganistan dhe strehimin në vendin tonë e qindrave prej tyre.

Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, Komuniteti Mysliman, shkruan se shqiptarët dhe besimtarët myslimanë duhet të tregohen bujarë me mërgimtarët afganë dhe të japin ndihmesën e tyre me aq sa munden.

Njoftimi i plotë:

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit Mëshirëbërësit!
Të dashur qytetarë, myslimanët anë e kënd botës, këto ditë, janë në muajin e parë të vitit të ri hixhri.

Viti i ri në fenë islame është përkujtimi i emigrimit të Profetit Muhamed (a.s.) dhe myslimanëve nga Meka për në Medinë, si shkak i persekutimit dhe përndjekjes.
Motra dhe vëllezër, ditët e fundit u njohëm me lajmin se vendi ynë, Shqipëria, do të strehojë qindra mërgimtarë nga Afganistani, të cilët ikin nga përndjekja e regjimit të ri që po vjen në vendin e tyre.

Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta.
Mysafiri është amanet i Zotit për mikpritësin.

Institucionet e vendit dhe aleatët e vendit tonë kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo situatë të menaxhohet më së miri.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshtshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për këtë rast.

Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës me mërgimtarët për hir të Allahut.

I lutemi Zotit të gjithësisë që konfliktet dhe luftërat të marrin fund në çdo vend të botës!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb