KABUL – Një grua që ecën nëpër rrugë me një fustan mbi gjunjë, nuk është tronditëse në shumicën e qyteteve në botë. Por, një foto e marrë së fundi që tregon një grua me të tillë veshje, është përhapur shumë – sepse ajo është marrë në Kabul, Afganistan!

“Unë u trondita”, tha burri që shkrepi fotografinë, gazetari lokal Hayat Ensafi. “Unë e di që kisha kapur një moment të veçantë, sepse kurrë nuk kam parë një grua këtu duke ecur nëpër rrugë si kjo.”

Gratë në Afganistan përballen me kufizime të ashpra për veshjen dhe lëvizjen në rrugë. Pasi e shkrepi foton, Ensafi u përpoq të bisedonte me gruan misterioze. “Por ajo ecte shumë shpejt dhe nuk foli me mua,” i tha ai BBC-së.

Pasi Hayat e postoi fotografinë në Facebook, mijëra njerëz komentuan mbi fotografinë e gruas. Megjithëse është e vështirë për të të treguar saktë se sa njerëz e kanë parë foton në një vend me përdorim shumë të vogël të internetit, Syed Anwar i BBC-së në Kabul tha se gruaja në foto zë tani një vend të rëndësishëm në biseda.

“Ne kemi parë mijëra njerëz flasin për këtë grua,” tha Anwar. “Jo vetëm në mediat sociale, por edhe në rrugë njerëzit flasin për të, pyesin nëse ajo është e sëmurë mendërisht apo mos është duke protestuar.

Disa komentues të tjerë në Facebook u përpoqën të gjejnë një synim politik në daljen e saj. “Ky është trupi i saj, jo juaji,” shkruante Siddiq. “E përshëndes guximin e saj. Ne duam të shohim më shumë gra të dalë si kjo.”

Të tjerë njerëz qenë më pak mbështetës. “Ne jetojmë në një vend mysliman dhe nuk mund të lejojmë njerëzit që të dalin kështu,” shkruante një përdorues me emrin Ahmad.

Pavarësisht komenteve, identiteti i gruas në fotografi ka mbetur i panjohur. “Pasi u fotografua, ajo u zhduk,” tha fotografi Hayat Ensafi. Megjithatë, “i gjithë qyteti i Kabulit është tronditur.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: