Të paktën 5 civilë e kanë humbur jetën ndërsa 7 të tjerë u plagosën në dy shpërthime të minave në Afganistan.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës Umer Zwak tha se një automjet goditi një minë në një autostradë në provincën jugore Helmand pak para mesditës, ku si pasojë humbën jetën 5 pasagjerët.

Ai akuzoi talebanët për vendosjen e minave në rrugë si shënjestër mbi forcat e sigurisë.

Kryengritësit, të cilët më parë kanë hedhur poshtë akuza të tilla, ende nuk janë prononcuar për incidentin.

Në provincën perëndimore Herat, e cila kufizohet me Iranin, shtatë gra u plagosën kur një autobus pasagjerësh shkeli mbi një minë në rrethin Kashk-e-Kohna.

Tre nga të plagosurit janë në gjendje kritike, sipas zyrtarëve të administratës provinciale, të cilët fajësuan talebanët për incidentin.

Vritet shefi i policisë rajonale

Autoritetet në provincën veriore Baghlan konfirmuan se shefi i njësisë speciale të policisë rajonale u vra në një pritë nga talebanët.

Sharifullah Khosti u plagos për vdekje kur ai nxitoi me njësinë e tij për të ndihmuar forcat e sigurisë të përfshira në një përleshje me talebanët në Pul-e-Khumri, kryeqyteti i Baghlan, tha zëdhënësi i policisë Ahmad Javed Besharat.

Më herët të enjten, talebanët theksuan se ata rrëzuan një helikopter të Forcave Ajrore Afgane në provincën Helmand.

Talebanët pretenduan se 4 pjesëtarë të personelit të sigurisë në bordin e helikopterit “Black Hawk” humbën jetën në sulm, por Ministria afgane e Mbrojtjes tha se 3 pjesëtarë të shërbimit humbën jetën.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb