Në mbarë Afganistanin ka rreth 3.5 milionë vartës nga droga, në mesin e të cilëve rreth 800 mijë janë gra. Në spitalet në mbarë vendin ka me mijëra vartës që presin për t’u trajtuar.

Në kryeqytetin e vendit, Kabul, ndodhet Qendra për Trajtimin e vartësve nga droga “Ibwn Sina” me kapacitet prej 1.200 shtretër.

Spitali punon me kapacitet të plotë, ku janë 450 të punësuar, përfshirë 50 psikologë dhe 60 psikiatër.

Institucioni gjen vartësit që zakonisht mblidhen në pjesë të braktisura të qytetit, nën ura, dhe më pas i nënshtrohen një procesi trajtimi 45-ditore. Edhe pse shumica e këtyre personave janë sjellë me dhunë, një pjesë e tyre vetë aplikojnë për trajtim.

– Mbështetje me mjekim dhe psikoterapi

Pas regjistrimit të një personi që sapo ka mbërritur në spital, bëhet ndërrimi i rrobave, prerja e flokëve dhe larja, pas së cilës të varurit bëhen gati për të filluar procesin e trajtimit.

Programi ditor i trajtimit fillon herët në mëngjes. Të varurit hyjnë në procesin e marrjes së medikamenteve dhe psikoterapisë pas namazit të sabahut dhe ngrënies së mëngjesit. Më pas vazhdon me lojëra dhe aktivitete të ndryshme sportive si shah, muzikë, basketboll, futboll dhe volejboll.

Vartësve nuk u jepet drogë gjatë procesit, qoftë edhe në doza të vogla për qëllime terapeutike. Procesi monitorohet me raporte ditore ndërsa pacientët monitorohen përmes ekipit të spitalit edhe pas daljes nga spitali.

Kryetari i Qendrës, Dr. Ahmet Zahir Sultani tha se shkalla e suksesit të trajtimit të personave të varur është afër 60 për qind.

Ai bëri të ditur se ka rreth 3.5 milionë të varur në të gjithë vendin, përfshirë 800 mijë gra. Ai tha gjithashtu se janë rreth 4.000 pacientë në spitale në të gjithë vendin, duke shtuar se janë të kënaqur me pajisjet që posedojnë.

– “Presioni mafioz përfundon me ardhjen e talebanëve”

Duke thënë se më parë ata ishin të ekspozuar ndaj presionit nga mafia e drogës, sepse tregtia e drogës ka një vend të rëndësishëm në ekonominë afgane, Sulltani shpjegoi ndryshimet që ndodhën pasi talebanët morën vendin si më poshtë:

“Me ardhjen e talebanëve është rritur përqindja e të varurve që i nënshtrohen trajtimit. Në dy muajt e fundit kemi mbledhur më shumë se 3.000 të varur, i kemi trajtuar në spital dhe më pas ua kemi dorëzuar familjeve të tyre. Dikur merrnim kërcënime të shumta nga mafia e drogës. Mafia e drogës nuk dëshiron të humbasë klientët e saj, por me ardhjen e talebanëve ky kërcënim është zhdukur. Nuk kemi marrë ndonjë kërcënim të tillë deri më tani”.

– Të varurit duan të trajtohen

Emanullah Ahmadi 43 vjeç, tha se më parë kishte ardhur vullnetarisht në spital, por se filloi të merrte drogë përsëri menjëherë pasi u lirua. Ai ka deklaruar se ka 6 vite që merr drogë.

“Dua t’i jap fund, por droga është shumë e zakonshme në Afganistan. Përdoret kudo. Shpresoj t’i jap fund kësaj radhe”, tha Ahmadi.

Duke shtuar se ishte i papunë dhe se kishte shitur pronën e familjes së tij për të blerë drogë, Ahmadi tha se dëshiron të shërohet dhe të jetojë një jetë të mirë me katër fëmijët e tij.

Habib Azizi 25 vjeç, tha se është grindur me familjen për përdorimin e substancave dhe ka filluar të jetojë në rrugë. Ai u soll në spital pasi talebanët erdhën në pushtet. Azizi tha se blinte drogë duke shitur letra dhe shishe plastike që kishte mbledhur.

Azizi ka 20 ditë që ndodhet në spital dhe ka treguar se ndjen progres në rimëkëmbjen e tij.

“Kam katër vjet që përdor drogë. Shpresoj të largohem nga varësia, por nuk mund të them me siguri se do të kem sukses. Do të jap gjithçka nga vetja”, tha Azizi, duke theksuar se pas lirimit dëshiron të gjejë një punë të rregullt dhe të martohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb