Dhuna përshkallëzuese e muajve të fundit në Afganistan, që mori jetën e të paktën katër gazetareve, ka detyruar mbi 300 gazetare të tjera të lënë punën e tyre.

Sipas një studimi nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CJP) në Afganistan, vitin e kaluar kishte të paktën 1.678 gra dhe vajza të reja që punonin në media të ndryshme në mbarë vendin, por ky numër është reduktuar në 1.377, duke shënuar një rënie prej 18 për qind të gazetareve dhe punëtoreve të medias në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ky studim bazohen në një anketë të kryer në të gjitha 34 provincat e Afganistanit, ku mbi 300 gazetare dhe punëtore mediatike kanë dhënë dorëheqje ose kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të faktorëve të tillë si kërcënimet e sigurisë, veçanërisht pas vrasjeve të shënjestruara së fundmi, si dhe për shkak të problemeve financiare të mediave si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe pagat e ulëta.

“Ambienti i punës për gazetaret në Afganistan nuk ka qenë asnjëherë afër idealit, por ai është bërë seriozisht i rrezikshëm për jetën pas vrasjeve të fundit të gazetareve”, tha Dunia Ehsas, një gazetare me qendër në Kabul.

Dunia tha se brezi i ri i profesionistëve afganë nuk do të dorëzohet kurrë.

“Ne jemi duke u përpjekur me më të mirën tonë për të garantuar sigurinë tonë dhe t’i lutemi Allahut për paqe, por kurrë nuk do të kthehemi në të kaluarën e errët”, tha ajo.

Më 2 mars të vitit të kaluar, persona të armatosur të paidentifikuar në provincën lindore Nangarhar vranë tre punëtore mediatike të kanalit televiziv privat “Enekas”. I njëjti rrjet mediatik humbi edhe një gazetare tjetër, Malalay Maiwand, në një sulm të ngjashëm dhjetorin e kaluar.

Paralelisht me bisedimet e bllokuara të paqes midis qeverisë afgane dhe talebanëve në Doha, Afganistani ka qenë dëshmitar i një rritjeje të frikshme të vrasjeve në shënjestër.

Kolumnistja e shquar, Maryam Mehtar, tha se ndikimi negativ i klimës së frikës është i gjerë.

“Së fundmi unë kam vetë-censuruar veten time, kam kufizuar aktivitetin tim edhe në mediat sociale dhe jam shumë e frikësuar për të besuar dikë”, tha Mehtar.

Ajo theksoi se jo të gjithë kanë zgjedhje për dorëheqje nga puna dhe të kërkojnë strehim jashtë vendit për shkak të kufizimeve financiare dhe arsye të tjera.

Sipas studimit të CPJ-së, nga aktualisht 1.377 punonjëse në media, 321 janë gazetare dhe pjesa tjetër punojnë në sektorë të tjerë të medias, si në prodhim dhe administratë të mediave.

CPJ-ja thekson se prania e fortë e grave në mediat e vendit është një nevojë kritike.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb