Vëllezërit Romeo e Donald Veshaj do të rikthehen me një tjetër emision të titulluar “Binjakët”, e bashkë me ta tani do të jetë prezantuesja e njohur, Einxhel Shkira. Ata kanë publikuar edhe promon e parë të emisionit.

“U munduam të bënim një promo të tipit: ‘Nuk keni parë asgjë akoma!’, por nuk e realizuam dot. Shihemi së shpejti në ‘Vizion Plus!’”, shkruante Donaldi në postimin që e shoqëronte me një zemër.

Në këtë promo shihet tek ëndërron me sy hapur sikur ka Einxhel Shkirën në shtëpi, por ëndrrën ia prish e ëma që luhet nga Mariana Kondi. Të njëjtën video e ka postuar edhe Einxhel, duke konfirmuar kështu se ajo do të jetë vajza që do t’i zërë vendin Bora Zemanit, ish-bashkëpunëtorja në televizion dhe e dashura e Donaldit.

Lind pyetja, po Bora si do reagonte po ta shihte këtë promo?

Në fakt, ajo e ka parë dhe e ka bërë të qartë vetë duke lënë një koment poshtë promos. Moderatorja është shfaqur papritur në profilin e “Instagram”-it të Donaldit, duke i komentuar më një urim për sukses për projektin e ri! Pak kohë më parë, ajo dhe aktori i humorit, Donald Veshaj, i dhanë fund lidhjes së tyre, por duket se hyrja e një prezantueseje sharmante si Einxhel, nuk ka lënë indiferente Borën.

Madje, sipas burimeve të çiftit, Bora dhe Donaldi po riprovojnë të bashkohen, duke frekuentuar sërish njëri-tjetrin. Pak kohë më parë, Donaldi publikoi një video në “Instagram” të realizuar brenda në makinë, ndërkohë që një vajzë i mbante duart te pjesa e kasetofonit. Edhe pse është errësirë, mund të dallohet që thonjtë janë të kuq, njësoj si Bora.

Portalet e interpretuan këtë postim të Donaldit, si konfirmimin të riafrimit me Borën, vetë ata nuk preferuan të flasin shumë për situatën aktuale të lidhjes e tyre. Një muaj pasi ata zyrtarizuan dashurinë në jug, çifti simpatik vendosi t’i japë fund lidhjes direkt pas pushimeve. Vendimin për të dalë hapur ata e shoqëruan me disa foto e video të këndshme, të cilat më pas i zhdukën nga “Instagrami”, duke fshirë edhe njëri-tjetrin nga lista e miqve.

Çifti që e zyrtarizuan lidhjen pas karantinës, patën disa mosmarrëveshje që çuan në këtë vendim, që u pasua me shpërbërjen e formatit “Treshat”. Sipas miqve të tyre, vështirë të thuhet se këtë herë bëhej fjalë për një zënkë të zakonshme, ndërkohë që u deshën gati tre muaj që të pajtoheshin.

Tashmë, miqtë e tyre flasin se ata po tentojnë të frekuentohen pas vendimit që binjakët kanë marrë për të bërë pjesë të formatit të tyre Einxhel Shkirën.

Bora dhe Donaldi u konsideruan një nga çiftet më të përfolura të verës, për faktin se luanin me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur. Nuk vonoi dhe ishte Bora, e cila theu heshtjen duke publikuar foton e parë të tyre si çift nga bregdeti i jugut, ku dhe celebruan kështu publikisht këtë histori dashurie të lindur në televizion.

Ajo pranoi në këtë mënyrë hapur marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa zgjodhi ta mbulonte fytyrën e tij me një emoji, ndonëse dukej qartazi se ishte ai, duke shkruar: “Me këtë çunin, identitetin e tij nuk dua ta zbuloj”. Nuk mungoi as komenti i vëllait të tij binjak Romeos, i cili edhe këtë herë nuk hoqi dorë nga ngacmimet, por njëkohësisht foli në emër edhe të familjes se ata e mbështesin dhe e duan këtë lidhje.

“Meqenëse është çuni jot, atëherë edhe unë do e kem si vëlla”, komentoi ai, duke marrë edhe falënderimin, po ashtu me nota humori të Borës.

E pas prezantueses, ishte vetë Donaldi që postoi tri foto të tyre në jug, ku pozonin në mënyrë intime, për t’i vënë vulën historisë së tyre. Postimi i fundit i bërë nga Donaldi ishte një video shumë e këndshme e tyre, që tregonte shumë për marrëdhënien e bukur e sportive që kishin bashkë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e club-eve dhe moslejimin e muzikës në mbrëmje në ambiente publike, ata morën makinën dhe u arratisën në vende pa njerëz, duke ngritur muzikën në maksimum.

“Ore, mjafton të duash se e gjen zgjidhjen për party edhe në kohë korone”, shkuante Donaldi poshtë videove ku shiheshin teksa kërcenin si të çmendur. Kanë kaluar gati dy vjet që kur Bora Zemani, filloi të shoqërohej me një nga vëllezërit binjakë të spektaklit të humorit “Al Pazar”, Donald Veshaj.

Bora është një mami e lumtur e djalit të saj Arbor nga martesa me DJ Vin Velin, ndërkohë që Donaldi është beqar. Ata e shihnin njëri-tjetrin si familje, pasi kishin nisur bashkëjetesën në Tiranë. Kështu, pas fotove që Bora postonte nga shtëpia e Donaldit në Vlorë, erdhën edhe fotot e pushimeve të tyre në jug, ku moderatorja shfaqej në fillim me gërshetat ngjyra-ngjyra.

Me shumë gjasa i bëri posaçërisht kur vendosi të deklarohej si e dashura e piktorit, Donaldit, i cili në ekran njihet si aktor humori. Pak kohë më parë, Bora kishte bërë një foto duke pirë kafe në kuzhinën e Donaldit, të shoqëruar me dixhiturën: “Gjithçka çfarë dua është dashuri dhe një kafe”.

E disa javë më pas, në programin “E diela shqiptare” ku gatuante Donaldi, ndjekësit vunë re që kuzhina ku kishte bërë fotot Bora ishte në fakt shtëpia e Donaldit. Gjatë këtij emisioni, Arditi nuk la rast pa i ngacmuar Borën dhe Donaldin për marrëdhënien e tyre të dashurisë. Në një moment, teksa zbritën shkallët e restorantit, Donaldi i veshi sandalen Borës dhe i pyetur nga Gjebrea, e cilësoi atë si Hirushe.

“Dhe kur e pyes unë je ti Hirushja, ajo thotë ‘po’. Pyes Donaldin: Je ti princi? Ai thotë ‘po’”.

Shpesh, paparazzi i “Panorama Plus” i ka fotografuar të veshur në stilin sportiv në shoqërinë e njëri-tjetrit, fakt që tregon se ata ishin 24 orë në 24 bashkë, për shkak edhe të projektit të përbashkët që bëjnë në televizion.

Prezantuesja, e cila i dha fund lidhjes disavjeçare me Dj. Vin Velin, vendosi ta konfirmonte deri diku historinë e re të dashurisë në emision. Prej muajsh përflitej se ajo dhe aktori ishin në një lidhje, por në fillim u komentua si një thashethem i radhës. Mirëpo, lajmi kishte një ekskluzivitet në ekranin e televizionit ku ata punojnë.

Bora, Donaldi dhe Romeo ishin të ftuar në “Tring Stars” për të folur për projektin e ri që i bëri bashkë në televizion e teksa zbuluan shumë rreth emisionit të tyre, gjatë intervistës ranë në sy ngacmimet që Donaldi i bënte Borës. Fillimisht, Donaldi i përmendi Borës këmbët e lyera me krem shkëlqyes dhe moderatorja i bashkoi këmbët e saj me të tijat. Ndërsa Romeo i bëri shumë komplimente ‘kunatës’, duke thënë se ajo është jo vetëm e bukur, por edhe prezanton shumë mirë dhe ka ide të mira.

Pas kësaj, Bora e falënderoi Romeon duke i dhuruar një puthje në faqe, si njeriut të familjes, ndërsa Donaldi, si për të konfirmuar që ata nuk janë thjesht kolegë, tha me shaka: “E kemi mikeshë familjare”.

Po tani ç’do të ndodhë me Borën dhe Donaldin, ndërkohë që kanë përjetuar jo vetëm një ndarje të shkurtër në lidhje, por edhe një ndarje sezonale në televizion, pasi punojnë për llogari të dy ekraneve të ndryshme. Le të presim ndërsa ndjenja e xhelozisë do t’i afrojë më shumë apo do t’i largojë për fare nga njëri-tjetri!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb