TIRANE- Afrmi i festave të fundvitit, Krishtlindja dhe Viti i Ri, edhe këtë vit si çdo herë po shoqërohet me luhatjen të çmimeve për disa prej produkteve bazë ushqimore në tregjet e vendit.

Në tregjet kryesore të fruta perimeve, tek Pazari i Ri në kryeqytet dhe tregun Agroushqimor në zonën e Kasharit në autostradë, që furnizojnë pikat e shitjes me pakicë, çmimet kanë pësuar rritje të ndjeshme.

Tregtarët thonë se, prodhimet vendase vazhdojnë të shiten me çmime disi të arsyeshme, ndërsa produktet e importit si pasojë edhe e zhdoganimeve janë më të larta.

Sipas tyre “Prodhimet e sezonit janë drejt fundit, ndaj ka më pak prodhime vendi në treg e për pasojë çmimet më të larta janë të natyrshme për periudhën. Por kërkesa në rritje për këto produkte, në prag të festave ka shtrenjtuar edhe më shumë çmimet e shitjes, nga ana e tregtarëve”.

Nga një vëzhgim në tregjet e shitjes së produkteve bujqësore, shihet se në fillim të kësaj jave çmimet e perimeve dhe zarzavateve janë rritur disa herë, krahasur me javën e kaluar.

Të hënën çmimi i domateve shënoi 90 lekë/kg nga 50 lekë/kg që ishte një javë më parë. Kastravecat shiten 40% më shtrenjtë, po ashtu edhe çmimet e patateve, qepëve etj, janë rritur me 25-30%. Rritje të kostos kanë pësur edhe frutat.

Qytetarët zgjedhin tregjet kryesore për të blerë ushqimet e nevojshme, për shkak te çmimeve të tyre më të lira se marketet që kanë pranë shtëpive. Por ajo qe ata i druhen është fenomeni i përvitshëm i rritjes ekstreme ne prag të festes se Vitit të Ri. Rritja e çmimeve që nga festat e nëntorit e deri për vit te ri është një fenomen i përvitshëm, por në asnjë rast autoritetet nuk kanë mundur ta frenojnë atë, pavaresisht planeve per ngritjen e tregjeve paralele apo ushtrimin e kontrolleve per abuzime me çmimet e shitjes.

INSTAT raportoi se fundi, gjatë muajit nëntor rritja vjetore e çmimeve për zarzavatet dhe patatet ishte 35.6%, ritmi më i lartë i vitit, ndërsa shporta e ushqimeve pësoi një rritje vjetore me 5.9%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 35,6 %, pasuar nga nëngrupi “fruta” me 13,9%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 2,4%, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,1 %, etj. (ATA)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: