Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, vendimin e kryeministri Edi Rama për të shkarkuar nga detyra kryenegociatorin me BE, Zef Mazin dhe zëvendësimin e tij me Majlinda Dhukën.

Sipas Neshos ky është një vendim i gabuar dhe jo serioz nga ana e qeverisë për të bërë këtë lëvizje në nisje të procesit integrues, pasi vetëm pak javë më parë u çelën zyrtarisht negociatat.

Nesho gjithashtu kritikoi atë që u cilësua si “hapja e shampanjës së integrimit”, të cilën kryeministri e bëri në mungesë të një përfaqësie nga opozita.

“Mungesa e opozitës ishte një shfaqje e turpshme, nuk e nderon”, tha Nesho.

Lidhur me angazhimin e tij në Partinë e Lirisë dhe daljet përkrah ish-Presidentit Ilir Meta, ish-ambasadori tha se kjo forcë politike do t’i garantojë shqiptarëve të drejtën e referendumit për çështje madhore të demokracisë.

Ju thoni që ka pasur mosdakordësi mes diplomatit dhe zotit Rama, ndonjë çështje para nisjes së negociatave?

Mënyrën e zgjedhjes së zotit Mazi dhe mënyrën e punës së tij fliste për shumë optimizëm dhe dakordësi nga qeveria që do t’i jepte hapësirë për të negociuar prej eksperiencës diplomatike të Mazit. Por këtu ka një dirigjent si zoti Rama. Për Ramën nuk ka rëndësi që të heqë 7 ministra dhe të vendosi 7 ministra të tjerë, që përmbushin dëshirat e liderit suprem. Është diçka joserioze që në fillim të procesit të heqësh kryenegociatorin. Është një fakt që Rama do ta ketë këtë proces në vëzhgimin e tij, se duket se ka alternativa të tjera si Ballkani i Hapur ose procesi i Berlinit.

Si ju duket hapja e shampanjës pa opozitën?

E papranueshme por ai nuk mund të pranojë që opozita të jetë pjesë e këtij procesi se është në mentalitetin e tij. Vetë pushteti i tij është përjashtues, dhe nuk e sheh opozitën si pjesëmarrëse në marrëdhëniet institucionale. Ky është një proces që duhet të vazhdojë, dhe nuk i takon një personi, ndaj opozita e sotme mund të jetë në rolin e drejtueses së negociatave nesër. Këto procese siç është edhe futja në NATO i takojnë popullit shqiptar.

Mungesa e opozitës ishte një shfaqje e turpshme, nuk e nderon. Gjithmonë e më shumë faktori ndërkombëtar, se kemi arritur në një pikë ku ata e dinë që një njeri që mishëron sjelljen e liderëve të BE, mënyrën si sillet në detyrën e tij. Sigurisht, edhe më tepër. Vetë presidenti Meta ishte një nga më aktivët që ka pasur Shqipëria duke parë edhe stofin e tij politik që i ka kaluar të gjithë shkallët e karrierës. Reformimi që i bëri të majtës shqiptare, iniciativës që ndërmori kur Shqipërisë i duhej anëtarësimi në BE.

Si do e quanit me një fjalë të vetme Presidencën Meta?

Presidenti që luftoi për mbrojtjen e Kushtetutës dhe shtetit ligjor në Shqipëri, edhe i vetëm. Dhe kjo krijoi edhe momentin që në Shqipëri po konfigurohet Partia e Lirisë. Jetojmë në një moment që do ta shikojmë se rezultatet e tij në vitin 2022 është se opozita po bashkohet për të ruajtjen e rezistencës së rendit demokratik.

A po ju serviret shqiptarëve një pjatë e re me një gjellë të vjetër, se janë të njëjtit njerëz?

Njerëzit nuk mund të ndryshojnë, sidomos në Shqipëri. Por partia e Lirisë është një oportunitet më shumë.

A i rri ngushtë kjo parti Ilir Metës?

Roli i Metës si një shtetar që mbrojti shtetin e së drejtës, çdo parti në përmasat e LSI do t’i rrinte ngushtë një drejtuesi të tillë.

Por, por është një parti me vetëm 4 deputetë!

Numrat ndryshojnë, në fund të ditës është një partie e re, që i bashkohet frontit opozitar dhe që me daljen në këtë moment dhe ideve që përfaqëson, të polit të lirisë, dhe rikthimit te shqiptarët të çështjes së referendumit.

Cili do jetë referendumi i parë që do të thërritet?

Referendumi është tepër i rëndësishëm sepse është demokracia direkte.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb