I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Agim Rameta kryetar i AFADA ka folur për rikthimin e TVSH dhe rritjen në 10%, si do rëndojë tek fermeri dhe tek xhepat e konsumatorit.

“Ishte risi heqja e TVSH për fermerin dhe jo tregtarin, pasi ai përfitonte 20% nga çmimi i blerjes.
Gjatë kësaj kohe suksesi ka qenë në bujqësi i dukshëm në të gjitha fushat. Sot ndodhemi përpara një fakti që TVSH do rikthehet dhe do rritet 10%. Tregtarët nuk do dëmtohen nga ana ekonomike, por rëndon tek fermeri. Fermeri duhet të paguajë gjithçka. Krahasuar me para pandeminë, sot është rritur çmimi, kjo pasi bota prodhuese ka rritur çmimet. Oferta që kemi ne si shoqatë për blerjen e plehrave kimike është në Rusi 900 dollarë/ton, po ta marr tregtari ta blejë, ta transportojë me anije, ta dërgojë në port, zhdoganimin shkon 10 mijë lekë. Nëse pas 1 janarit do rritet TVSH 10%, fermeri nuk do ta marrë 10 mijë lekë por 11-12 mijë lekë, varet se si do jetë zhdoganimi, kosto, çdo gjë ka shpenzimin e saj. Kjo ndikon në një çmim më të lartë edhe tek konsumatori, çdo taksë e ngritur ndikon tek konsumatori. Shteti këtu nuk përfiton, por do të ketë humbje. Problem është se do rritet 10% kontrabandë dhe efekti nuk do shkojë të arka e shtetit, por në xhepat e dikujt tjetër. Vendosja e TVSH në këtë kohë kaq të vështirë nuk duhet, mbase në një kohë më të përshtatshme.

Sot fermeri është në pikë të hallit, nuk mbjell dot. Është koha e mbjelljes së grurit, nuk mbjell njeri, pasi janë rritur çmimi i naftës, shpenzimet e mëdha, pasi blihen shtrenjtë. Ka prodhim vendas, por nuk plotësojnë as 15% të imputeve. Të gjithë fermerët duhet ta dinë se çdo produkt i mbrojtjes së bimëve apo imputet bujqësore në tërësi janë të garantuara sepse janë të certifikuara dhe të regjistruara në territorin e Shqipërisë. Se si jemi ne me vendet e tjera, atje për çdo fermer subvencionohet për prodhimin që jep, kurse këtu jepen tollona. Në vendet e botës subvencinonohet prodhimi. Pasi e korrin dhe e nxjerrin produktin në shitje, paraqesin dokumentin që subvencionohet nga shteti. Këtu tek ne nuk ndodh, madje është e kundërta, ndaj prodhimi tek ne del më i shtrenjtë. Në Serbi, mbi 35 milionë euro shkojnë për të blerë mallra atje. Lekët ikin në ekonominë e Serbisë, ne varfërohemi dhe prodhimi del më i shtrenjtë, pasi nuk subvencionohemi nga shteti”-deklaroi Agim Rameta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: