TIRANE-Sipas vlerësimeve konservatore, transfertat ilegale të parave i hoqën shqiptarëve së paku 1,3 miliardë dollarë gjatë viteve 2003-2012.
Studimi nga agjencia e Integritetit Financiar Botëror, (GIF) i cili analizon të dhënat e transfertave valutore dhe tregtare të raportuara nga Fondi Monetar ndërkombëtar vlerëson se shqiptarët humbën mesatarisht 128 milionë dollarë në vit për dhjetë vjet me rradhë nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal. Agjencia me zyrë në Uashington DC thotë se ky është vlerësimi më konservator i mundshëm dhe paraqet vetëm të dhënat që mund të nxirren nga transfertat e deklaruara si dhe nga gënjeshtrat e kryera përmes mbifaturimeve për mallra, por nuk është në gjendje të vlerësojë transfertat e kryera kesh apo transfertat e kryera përmes mbifaturimeve në shërbime.
Të dhënat e disponueshme nga GIF sugjerojnë se gjatë vitit 2012 nga Shqipëria fluturuan në këtë mënyrë së paku 65 milionë dollarë, ndërsa viti me transferta më të larta qe 2008-a kur fluturuan 305 milionë dollarë. Në vitin 2011, nga Shqipëria fluturuan 265 milionë dollarë. Raporti nuk ka të dhëna për vitin 2009.
Mënyra më e zakonshme e transferimit të parave të krimit, korrupsionit apo evazionit fiskal është ajo e kryerjes së pagesave të rreme për blerje mallrash ose shërbimesh jashtë vendit, në përgjithësi, me fatura të lëshuara nëpër parajsa fiskale, ku ligjet e këtyre vendeve lënë pak hapësirë për kontrolle.
Raporti botëror vlerëson se gjatë periudhës së shqyrtuar, nga vendet në zhvillim fluturuan 991 miliardë dollarë, shifër kjo më e madhe se sa shuma e përgjithshme e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe ajo e ndihmës zyrtare për zhvillim të marra sëbashku.
Nga vendet e Ballkanit, duket se gjatë kësaj periudhe Serbia është humbësja më e madhe e krimit, korrupsionit dhe evazionit fiskal. Nga ky vend kanë fluturuar mbi 45 miliardë dollarë.
Edhe Maqedonia, ndonëse një vend i vogël dhe i varfër, ka shënuar largime kapitale të stërmëdha të vlerësuara në mbi 5.2 miliardë dollarë.
Shqipëria ka një zbatim pothuajse inekzistent të ligjeve kundër pastrimit të produkteve të veprës kriminale, me një numër minimal rastesh konfiskimi dhe dënimi, gjë që e bën të lehtë për kriminelët të investojnë këto para në Shqipëri më shumë se sa t’i transferojnë jashtë vendit për pastrim.
Një investigim i BIRN mbi kompaninë austriake Alpina pak ditë më parë zbuloi se si kjo kompani pati paguar për një kompani të regjistruar në parajsën fiskale Qipro mbi 1.4 milionë euro pa kurrfarë kontrate, transfertë kjo e dyshuar si një mekanizëm për të paguar një korrupsion të mundshëm të ndonjë zyrtari.
Ndërkohë, një investigim tjetër i BIRN mbi dosjen e vrasjeve me pagesë, zbuloi se si paratë e pista kanë sjellë kriminalizimin e përgjithshëm të botës së biznesit në Shqipëri, ku shumë shpesh, vrasja gjendet si rrugëzgjidhje e lehtë për mosmarrëveshjet e ndryshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: