NGA OLA MITRE*

Të gjithë kandidatët për zgjedhjet lokale të tregojnë publikisht angazhimin e tyre për fëmijët si dhe t’u kushtojnë rëndësi dhe të trajtojnë me prioritet çështjet e mbrojtjes së fëmijëve”. Kërkesa vjen nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke iu referuar zgjedhjeve vendore, që do të mbahen në 21 qershor.

Kjo agjenci, së bashku me disa organizata të tjera që luftojnë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, theksojnë se jo vetëm do të mbështesin pushtetin lokal në këtë drejtim, por dhe do të monitorojnë punën e tyre. “ASHMDF, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision qëndrojnë të gatshme të mbështesin njësitë vendore në përmbushjen e detyrimeve të tyre, por njëkohësisht do të monitorojnë punën e administratave të reja lokale në këtë drejtim”, theksojnë organizatat.

Përveç kërkesave, këto organizata nuk harrojnë të përcjellin urimet me rastin e 1 Qershorit. “Me rastin e 1 Qershorit, tradicionalisht e festuar në Shqipëri si Dita e Fëmijëve, duam t’u urojmë të gjithë fëmijëve të Shqipërisë ‘Gëzuar 1 Qershorin, ditën e Fëmijëve’, dhe të kujtojmë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë në mbrojtjen e fëmijërisë, se të drejtat e të gjithë fëmijëve pa dallim duhet të mbrohen dhe të promovohen”, thuhet në urimin e përbashkët.
Aktivitetet
Ashtu sikurse është bërë traditë, me rastin e Ditës së Fëmijëve, nuk do të mungojnë aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale, Tiranë. Sipas axhendës së publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ato do të fillojnë në orën 10:00, ndërkohë që “GSH” publikon sot kalendarin e plotë. Po ashtu, edhe bashkia ka bërë me dije axhendën e saj të ngjeshur për fëmijët e kryeqytetit, ndërkohë që aktivitetet nuk do të mbyllen sot, por do të zgjasin deri në datën 3 qershor. Edhe këtë kalendar, gazeta e publikon sot të plotë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: