Agjencitë detare dhe turistike kundërshtojnë vendosjen e akcizës dhe taksave të tjera për karburantet që furnizohen jahtet e huaj. Sipas Arben Çipës që është përfaqësues i shoqatës së industrisë së turizmit në Sarandë, ardhja e jahteve do të ulet ndjeshëm nëse miratohen këto ndryshime në paketën fiskale 2022.

“Në rast se kjo finalizohet dhe vendimi i cili flitet që mund të merret me një shtesë prej dy taksash dhe akcizën, atëherë mendoj se xhiroja ose lëvizja e jahteve do të ketë zbritur në nivelin 10 për qind dhe ndoshta niveli do të ulet më shumë, nuk përbën sens për të menduar prekjen e jahteve në portet e Shqipërisë”, tha Çipa.

Sipas tij, prenotimet për vitin e ardhshëm kanë nisur të anulohen, vetëm nga fakti që ka dalë lajmi për vendosjen e taksës për karburantet për jahtet. Ndërkohë që përfitues duket se është Mali i Zi, i cili ka një regjim fiskal pa taksa për këtë lloj furnizimi.

“Ne shohim një reagim të këtij momenti, që do të thotë për vitin e ardhshëm në rast se kjo situatë do të ndryshoje atëherë dhe jahtet nuk do të kenë prioritet destinacionet e Shqipërisë”, tha Çipa.

Janë të paktën 150 biznese që mbahen me këtë lloj shërbimi, dhe sipas tyre shitja e karburantit pa taksa për jahtet ndihmon në zgjerimin e sektorit turistik.
“Ne nuk jemi përfaqësues të kompanive të hidrokarbureve, por pa dyshim shërbimet tona lidhen edhe me shërbimet e hidrokarbureve. Pra politikat të cilat në ndjekim dhe strategjitë të cilat ne ndjekim si agjenci, kanë filluar të ndryshojnë imazhin e destinacionit të Shqipërisë fillimisht si një vend ku mund të preken portet dhe së dyti si një vend ku pasagjerët, klientët mund të zbresin, mund të krijojnë ture të ndryshme sipas porteve përkatës”, tha ai.

Qeveria ka parashikuar në paketën fiskale vitin 2022 heqjen përjashtimeve fiskale për karburantet që përdoren për jahtet e huaj që furnizohen në Shqipëri, një masë që të paktën do të dyfishojë çmimin aktual të shitjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb