Nga: GERILINA KODHELI*
TIRANE – Është ndër vajzat më të bukura shqiptare, por pavarësisht kësaj, Agnesa Vuthaj ia ka arritur të qëndrojë e rezervuar dhe larg skandaleve. Ish-Miss Kosova, e cila prej vitesh tashmë vjen si organizatore eventesh bukurie dhe së fundi si dizenjatore, rrëfen se synimi i saj është të pushtojë botën. “Unë konsideroj që sot asnjë biznes nuk duhet të limitohet brenda kufijve të shtetit ku është themeluar, por të synojë të pushtojë botën”, tregon Agnesa, e cila në këtë intervistë për “VIP Pages”, si rrallëherë më parë na tregon edhe për jetën e saj private dhe dashurinë.

“Nuk do të thotë që të jesh e bukur duhet të jesh patjetër në lidhje. Për mua është më e rëndësishme të bëj zgjedhjen e duhur, të kem pranë partnerin me të cilin do të kaloj jetën, sesa të lidhem vetëm sa për të qenë në lidhje, apo të martohem vetëm për status”, thotë ajo.

Agnesa, u bë më shumë se një vit që angazhimet e tua në fushën e modës kanë qenë të shumta dhe të larmishme. Si ndihesh për çfarë ke arritur deri tani?
Ndihem mirë. Është një punë e vazhdueshme që kërkon shumë përkushtim, por më jep akoma më shumë energji kur shoh rezultate.
Cilat janë synimet profesionale të së ardhmes së afërt?
Vazhdimi i punës me linjën time të çantave, këpucëve dhe aksesorëve të dorës, krijimi i dizajneve të reja dhe promovimi i markës sime janë synimet aktuale dhe të së ardhmes së afërt. Gjithashtu kam filluar përgatitjet e para për spektaklin “Miss Kosova 2016”.
Producente miss-esh, krijuese e një linje… Duken shumë impenjime, por në fakt, cilat janë në krye të listës tënde të prioriteteve?
Prioritet është biznesi im, sepse i përkushtohem gjatë gjithë kohës, çdo ditë, ndërsa spektaklet e bukurisë janë projekte periodike, por që i realizoj me shumë pasion dhe në kohën e organizimit të Miss-it, apo të përfaqësimit të Kosovës në konkurset ndërkombëtare kthehen spektaklet në prioritet për mua. Mundohem të jap përkushtimin e duhur për secilin projekt timin në kohën e duhur, kur nevojitet më shumë angazhim për të arritur suksesin e dëshiruar.
Gjatë muajve të fundit emri “Agnesa Vuthaj” është bërë i njohur edhe në botë. Linjën tënde e ke prezantuar në evente ndërkombëtare. Ndihesh gati për të sfiduar emra të mëdhenj të modës? Është në ambiciet e tua?
Që nga themelimi i markës sime, kam pasur ambiciet për të krijuar një markë që do të bëhet e njohur ndërkombëtarisht. Në botë ka pafund linja të modës, por secila ka veçantinë e vet. Unë konsideroj që sot asnjë biznes nuk duhet të limitohet brenda kufijve të shtetit ku është themeluar, por të synojë të ‘pushtojë’ botën.
Përveç punës, çfarë e mbush jetën e Agnesës?
Jam me fat që bëj punën që dua dhe puna përmbush pjesën më të madhe të përditshmërisë sime. Ndërkohë kaloj kohë me familjen dhe miqtë, ndonjëherë në vendlindje e ndonjëherë në udhëtime.
Si arrin të qëndrosh në formë të mirë fizike?
Ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik më mbajnë në formë të mirë fizike dhe shpirtërore dhe më japin energji për aktivitetet e shumta ditore.

Je mjaft e rezervuar për jetën tënde private, megjithatë duket e pabesueshme që një vajzë si ti të jetë ende ‘single’. Po na fsheh ndonjë dashuri? Je në lidhje?
Është e vërtetë që nuk kam folur shumë për jetën time private në media apo s’kam publikuar fotografi në rrjete sociale, por e vërteta është që jam vetëm. Megjithatë, nuk do të thotë që të jesh e bukur duhet të jesh patjetër në lidhje. Për mua është më e rëndësishme të bëj zgjedhjen e duhur, të kem pranë partnerin me të cilin do të kaloj jetën, sesa të lidhem vetëm sa për të qenë në lidhje, apo të martohem vetëm për status.
Si duhet të jetë mashkulli perfekt për ty?
Jam vetëm dhe jam e lumtur me jetën time. Nuk kërkoj një mashkull perfekt, por një mashkull që do i shtojë akoma më shumë ngjyra jetës sime, të më lumturojë akoma më shumë dhe të më bëjë të qesh akoma më shumë.
Si i përballon ndarjet? Je tipi që mbyllesh në dhomën tënde dhe qan, apo duke u argëtuar me shoqërinë?
Unë e sfidoj dhimbjen dhe ndarjet më bëjnë akoma më të fortë. Nuk mbyllem për të qarë, por as nuk dal të argëtohem për të harruar, thjesht e pranoj si pjesë e jetës dhe vazhdoj të fokusohem në rrugëtimin tim jetësor dhe në të ardhmen.
Televizioni? Ke menduar ndonjëherë të bëhesh pjesë e ekranit me ndonjë projekt tëndin?
E pëlqej televizionin. Kam menduar dhe kam pasur kërkesa për projekte televizive, por momentalisht kam prioritete dhe synime të tjera.
Cila është ëndrra jote në sirtar?
Është akoma në sirtar, shpresoj ta realizoj në të ardhmen e afërt.
Një këshillë mode për vajzat që duan të ndjekin shembullin tënd?
Të jenë vetvetja. Origjinalja është gjithmonë më mbresëlënëse dhe më e adhurueshme.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: