Kryeministri i ri i Britanisë, Rishi Sunak bëri të shtunën vizitën e tij të parë në Kiev, ku premtoi se do të vazhdojë mbështetjen e vendosur të vendit të tij për Ukrainën.

“Britania e di se çfarë do të thotë të luftosh për liri,” shkruante zoti Sunak në Twitter. “Ne jemi gjithmonë krah jush.”

Në një deklaratë më pas ai tha Britania do t’i japë Ukrainës një paketë për mbrojtjen ajrore prej afro 60 milionë dollarësh, përfshirë armë kundërajrore dhe teknologji për të goditur dronët e dërguar nga Irani, tha kryeministri Sunak.

Ai shtoi se Britania do të rrisë gjithashtu mbështetjen humanitare për dimrin e ftohtë dhe të vështirë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy postoi një video të shtunën e takimit të të dyudhëheqësve në Kiev.

“Me miq si ju në krah, ne kemi besim në fitoren tonë. Të dy vendet tona e dinë se çfarë do të thotë të luftosh për lirinë,” shkruante zoti Zelenskiy në Twitter.

Zoti Sunak, një ish-ministër financash, mori detyrën muajin e kaluar pas mandatit të shkurtër të kryeministres Liz Truss. Ajo dhe paraardhësi i saj Boris Johnson e kishin bërë mbështetjen publike për Ukrainën një përparësi të programit të tyre dhe kryeministri Sunak ka thënë se do ta vazhdojë një politikë të tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: