“Rusia mban përgjegjësinë e plotë për këtë luftë, një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Kështu deklaroi Këshilli i Atlantikut të Veriut në një deklaratë, teksa sot mbushet plot 1 vit nga agresioni rus në Ukrainë. Këshilli i Atlantikut theksoi “mbështetje të mëtejshme politike dhe praktike për Ukrainën. Ndërsa shënohet përvjetori i luftës brutale të agresionit të Rusisë…kërcënimi më serioz për sigurinë euroatlantike në dekada. Ne si aleatë riafirmojmë solidaritetin tonë me qeverinë dhe popullin e Ukrainës në mbrojtjen heroike të kombit të tyre dhe vlerat tona të përbashkëta. Ne i kushtojmë nderim jetëve të humbura dhe dënojmë vuajtjet dhe shkatërrimet tragjike njerëzore, duke përfshirë zonat e populluara të Ukrainës dhe infrastrukturën urbane dhe energjetike, të shkaktuara nga lufta e paligjshme e Rusisë”, thuhet në deklaratë.

Mes të tjerash NATO ka konfirmuar se do të mbështesë Ukrainën, për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“NATO do të vazhdojë të koordinohet ngushtë me aktorët përkatës, duke përfshirë organizatat ndërkombëtare, veçanërisht BE-në, si dhe vendet me të njëjtin mendim. Ne mbetemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet afatgjata të Ukrainës për të siguruar të ardhmen e saj të lirë dhe demokratike. Ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ne mbështesim plotësisht të drejtën e natyrshme të Ukrainës për vetëmbrojtje dhe për të zgjedhur masat e veta të sigurisë. Rusia mban përgjegjësinë e plotë për këtë luftë, një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Veprimet e Rusisë shpërfillin parimet dhe angazhimet e OSBE-së dhe minojnë seriozisht sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ndërsa ne i kemi bërë thirrje Rusisë që të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociata të besueshme me Ukrainën, Rusia nuk ka treguar një hapje të vërtetë ndaj një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne mbetemi të vendosur për të mbajtur presionin e përbashkët ndërkombëtar ndaj Rusisë. Gjithashtu dënojmë të gjithë ata, përfshirë Bjellorusinë, që lehtësojnë në mënyrë aktive luftën e Rusisë. Nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet ruse të luftës dhe mizoritë e tjera.”, thuhet në reagim.

Në të njëjtën kohë, nënvizohet se “lufta e Rusisë kërcënon edhe sigurinë globale. Shantazhi energjetik i Rusisë, ndikimi i saj në furnizimet globale të ushqimit, aktivitetet e saj hibride malinje, fushata e saj e dezinformimit global dhe retorika e saj e papërgjegjshme bërthamore tregojnë qartë shpërfilljen e Rusisë për normat ndërkombëtare dhe mirëqenien e miliarda njerëzve në mbarë botën. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë zonën euroatlantike. NATO është një Aleancë mbrojtëse. Ne po forcojmë ndjeshëm qëndrimin tonë parandalues dhe mbrojtës dhe mbetemi të gatshëm për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat”, përfundon reagimi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: