Kur energjia elektrike është ndërprerë në një festë të organizuar në hotelin Otel, në fundjavën e parë të dhjetorit në Kiev, gratë dhe burrat që kanë qenë aty, nuk e kanë parë këtë gjë si problem dhe kanë vazhduar të këndojnë sipas dëshirës së tyre. Ndërkohë ata kanë nisur të bërtasin “Putin është irritues” – slogan që daton prej vitit 2014, kur tifozët e futbollit kanë brohoritur njëjtë nëpër stadiume futbolli.

Vazhdimi i festës ka qenë vetëm një prej qindra akteve tjera të ukrainasve për të sfiduar sulmet e vazhdueshme ruse në infrastrukturën ukrainase të energjisë. Këto sulme tani janë bërë pjesë “normales së re jonormale” – bashkë me shumë situata tjera që ukrainasit nuk i kanë përjetuar para nisjes së luftës. Prej fillimit të tetorit, Rusia ka nisur një mori sulmesh me raketa dhe dronë në infrastrukturën ukrainase të energjisë, duke lënë banorët pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Sulmi i fundit i tillë është raportuar më 15 dhjetor. Moska e ka hapur këtë front të ri të luftës kundër Ukrainës, pasi është përballur me një mori humbjesh në fushëbetejë, me shpresën që teksa dimri afrohet, kushtet e rënda do t’i bëjnë ukrainasit të dorëzohen. Këto lloj sulmesh kanë zemëruar Perëndimin. “Sulmet që kanë shënjestër infrastrukturën civile, me qëllimin që burrat, gratë dhe fëmijët të mbesin pa ujë, rrymë dhe ngrohje, përbëjnë terror të pastër”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në tetor.

Më 7 dhjetor, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka paralajmëruar për mundësinë e një “apokalipsi” nëse Ukraina vazhdon të përballet me sulme të tilla. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ky dimër mund të “rrezikojë jetën e miliona njerëzve”, sidomos atyre që jetojnë në fshatra dhe në qytetet afër zonave të konfliktit. Mirëpo teksa qytetarët, autoritetet dhe kompanitë e energjisë mësojnë si të përballen me ndërprerjet e energjisë dhe problemet tjera që shkaktohen nga mungesa e saj, ka indikacione në rritje që fokusi i Moskës në energji, do të jetë në rënie.


Krijimi i strehëve të sigurta

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër pos mbijetesës”, ka thënë Tymofiy Mylovanov, ish-ministër i Ekonomisë, që tani është këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Në një bodrum që tani ai e shfrytëzon edhe si strehë, edhe si sallë ligjërimi, Mylovanov ka thënë se muajt e fundit e fundit i ka kaluar “duke e transformuar klasën në qendër për instalim të gjeneratorëve dhe pllakave satelitore, si dhe duke mbushur rezerva uji”. Tani universiteti ku ai ligjëron, Shkolla e Kievit për Ekonomi, ka rrymë, ngrohje dhe qasje në internet, duke mundësuar vazhdimin e punës edhe kur ndizen alarmet në Kiev, por edhe kur sulmet ruse lënë gjysmën e qytetit në terr.

“Hera e fundit kur kemi pasur kaq shumë studentë ka qenë para pandemisë së koronavirusit”, ka thënë ai. Mylovanov, i cili e ka pranuar se këto avancime nuk do të ishin të mundshme pa mbështetje financiare të partnerëve ndërkombëtarë të universitetit, ka thënë se një prej synimeve të tyre “është që të tjerët të mësojnë se përgatitjet janë të mundshme edhe në skenarët më të këqij”.

Megjithatë sulmet vazhdojnë të shkaktojnë probleme të mëdha logjistike dhe materiale në infrastrukturën ukrainase të energjisë. Pas një goditjeje të madhe ruse, që ka lënë miliona njerëz pa rrymë dhe ujë në Kiev më 23 nëntor, Zelensky ka prezantuar një plan për përgatitje në raste të situatave emergjente. Jo shumë larg prej Shkollës së Kievit për Ekonomi, një pikë e ngjashme është hapur së fundi në një shkollë fillore.

Secili mund të shkojë aty për t’u ngrohur, për të mbushur bateritë e telefonave, për të siguruar ujë, ka thënë Hanna Khimich, administratore e shkollës që mbikëqyr objektin. Ndonëse në kohën kur Radio Evropa e Lirë e ka realizuar një vizitë, objekti ka qenë i thatë, ai nuk është dukur si vend që ofron mbrojtje adekuate në rast të “apokalipsit” që ka përmendur Klitschko. Sikur edhe shumë pika të tilla në Ukrainë për ofrim të ndihmës, shkolla ka gjeneratorë, por nuk ka naftë për ta vënë atë në funksion.

Mylovanov beson se këto pika, megjithatë, përbëjnë “përgjigje realiste”, pasi as autoritetet shtetërore dhe as ato lokale nuk kanë pasur mundësi që të krijojnë qendra për ndihmë brenda javësh. Shërbimi Shtetëror për Emergjenca ka thënë se komunitetet lokale kanë krijuar mbi 5.000 pika të tilla dhe mbi 100.000 njerëz i kanë përdorur ato.

Të tjerë besohet se janë përgatitur paraprakisht. Që në stinë të vjeshtë, ukrainasit kanë blerë rroba të trasha, qirinj, bateri të jashtme për telefona, stufa me gaz dhe rezervuarë uji. Edhe restorantet dhe kafiteritë e Kievit janë adoptuar shpejtë, shumica prej tyre kanë gjeneratorë për rrymë, si dhe janë pajisur me pajisje për ngrohje që funksionojnë me gaz.

Por nuk përfundon me kaq. Secili që tenton të ecë në errësirë për të shijuar një gotë filxhan me kafe, e di se këto zgjidhje të improvizuara e kanë koston e vet.

Numri i personave të vdekur në aksidente trafiku në Kiev është gjashtëfishuar prej kur kanë nisur problemet me energji, kanë thënë zyrtarët policorë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më shumë se 2.500 zjarre janë shkaktuar në Ukrainë si pasojë e tentimeve për të bërë zgjidhje me burime alternative të energjisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb