Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës mbështet takimin që pritet të zhvillohet ditën e nesërme në Këshillin Politik, ku të pranishëm do të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Në një deklaratë shpërndarë për media, PAA thekson se marrëveshja politike e 5 qershorit duhet të votohet unanim në Kuvend për t’i hapur rrugë procesit të integrimit, duke shtuar se “çdo propozim shtesë për ndryshime kushtetuese kërkon një proces më të gjatë konsultimi publik”.

Deklarata e PAA:

Duhet të angazhohen nën forcën e përgjegjësisë jo nën forcën e kartonave. Është koha për të demokratizuar partitë politike dhe politikën shqiptare dhe jo për të synuar mandate politike të përjetshme.

PAA vlerëson dhe mbështet takimin e këshillit politik për të konfirmuar votimin unanim në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit duke i hapur rrugën procesit të çeljes së negociatave si prioriteti kryesor i Shqipërisë dhe kombit shqiptar (https://www.balkanweb.com/caktohet-data-ja-kur-ulen-ne-tryezen-e-keshillit-politik-opozita-e-bashkuar-me-mazhorancen/).

PAA vlerëson se çdo propozim shtesë për ndryshime kushtetuese kërkon një proces më të gjatë konsultimi publik.

Çdo mbivendosje e prioriteteve që cënon marrëveshjen e 5 qershorit dhe çdo përpjekje e sforcuar e maxhorancës për të mos vepruar me forcën e përgjegjësisë ndaj vendit por me forcën e kartonave, dëmton rëndë ambientin social dhe politik në vend, ngadalëson dhe vonon procesin e integrimit si dhe e bën më të vështirë përballjen me krizën sociale ekonomike dhe buxhetore të krijuar nga tërmeti, pandemia por edhe nga keq-qeverisja e vendit.

Është koha për përgjegjësi dhe jo për arrogancë kartonash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb