TIRANE – “Kapërcimi në nivelin tjetër të rritjes ekonomike është sfida e qeverisë për vitin 2015”. Kështu deklaroi Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, në një deklaratë për mediat, ku renditi arritjet e institucionit që drejton gjatë vitit që lamë pas dhe përparësitë për vitin që sapo ka hyrë. Ministri Ahmetaj theksoi se viti 2015 do të jetë viti i luftës kundër informalitetit, vazhdimit të reformave, investimeve të huaja dhe rritjes së punësimit.

Sipas ministrit Ahmetaj, “risia e parë e vitit 2015 janë marrëveshjet e partneritetit publik-privat.” Ministri tha se po punohet për të rikonceptuar procedurat aktuale të koncensioneve dhe të partneritetit publik-privat në favor dhe përfitim të qytetarëve.

Për ministrin Ahmetaj, viti që kaloi mund të konsiderohet si viti i punësimit, pasi u hapën 81 mijë vende të reja pune. “Ishte viti i një marrëdhënie krejt të re me sipërmarrjen. Qeveria pagoi borxhet e prapambetura dhe vazhdon t’i paguajë edhe sot ato borxhe”- tha Ahmetaj. Ministri foli edhe për projektet në vazhdim në disa sektorë si infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, por edhe shërbimi social.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: