“Gjatë vitit 2017 ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë dhe ritmi i rritjes ekonomike vijoi trendin përshpejtues duke u përmbyllur me 3.84% rritje të prodhimit të brendshëm bruto”.

Kështu deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nga foltorja e parlamentit prej nga foli mbi qëndrueshmërinë ekonomike, për të cilën tha se viti 2017 vendosi një kthesë për ekonominë e vendit.

“Gjatë 2017 evidentohet qartë se ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë. Ritmi i rritjes ekonomike vijoi trendin përshpejtues duke u përmbyllur me 3.84% rritje të prodhimit të brendshëm bruto. Rritja përgjatë 2017 u ndikua nga kërkesa e brendshme si konsumi dhe investimet ne ekonomike. U bënë 13 tremujorë rresht që konsumi vijon rritjen”, -tha ministri.

Më tej, Ahmetaj shpjegoi se kjo u mundësua falë politikës fiskale optimale dhe investimeve të kryera, po kështu edhe të mbështetjes me investime që iu bë sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura.

“Brenda buxhetit 2017 u mundësua një politikë fiskale optimale me kthese të rëndësishme në rritjen ekonomike dhe punësimit, në mbështetje të vazhdueshme buxhetore ndaj sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura. Konsolidimi i një sistemi të shëndetshëm të menaxhimit financiar që shmang detyrimet e vjetra financiare dhe miratimi i ligjit për financat e qeverisjes vendore dhe vendimi i zbatimit të tij, e bëri vitin 2017, vitin e parë me një hap cilësor në menaxhimin cilësor të financave publike në nivel vendor”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, edhe pse gjatë vitit 2017 sektori i energjisë pati një rënie drastike, kjo nuk ndikoi në ekonomi pasi investimet u rritën me 6.5%, ku sektorë si bujqësia, tregtia apo ndërtimi gjeneruan rritjen ekonomike në vlerën e 3.84%.

“Investimet u rritem me 6.5% ndërkohë që sa i përket ofertës agregate, përveç prodhimit të energjisë elektrike i cili gjatë vitit 2017 pati një rënie drastike si rrjedhojë e një moti të thatë, sektorët e tjerë të ekonomisë performuan me rritje pozitive. Rritja ekonomike është konsoliduar”, tha Ahmetaj.

Më tej, ministri sqaroi se rritja ekonomike tregoi se ka mjaft sektorë të tjerë prioritarë që ndikuan në gjenerimin e rritjes ekonomike në masën e 3.84%

“Ka analiste profesionistë apo jo, që i referohen rritjes ekonomike sikur sektori energjetik është i vetmi sektor që gjeneron rritje. 2017 ishte një fakt që vërtetoi të kundërten. Sektori energjitik është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe prioritarë por dikush thotë që ekonomia e Shqipërisë varet nga moti. 2017 tregoi se shërbimet, tregtia, ndërtimi, bujqësia kontribuan rëndësishëm në rritjen ekonomike. Dhe megjithëse prodhimi i energjisë ra 46% gati-gati rekord, ekonomia gjeneroi rritje me 3.84%”, përfundoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb