Akti normativ i qeverisë në fund të 2016-ës për rishpërndarjen e fondeve është miratuar me debate dhe replika. Opozita e ka cilësuar një kërcënim për zgjedhjet paketën e solidaritetit. Miratimi i aktit normativ të buxhetit 2016 në Komisionin e Ekonomisë është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës.

Ish-ministri i Financave tha se paketa e solidaritetit ishte një lëvizje e qëllimshme e qeverisë për efekt elektoral.

Ndërsa replika për këtë ka zhvilluar kryetari i komisionit, deputeti Erjon Braçe. “Pse nuk bëtë një solidaritet ju si ministritë tuaja; kryeministri, të merrte një pjesë të fondeve të dikasterit të vet për t’i kaluar te ky fond solidariteti, por e bëtë solidaritetin me të varfër?” – tha Bode.

Menjëherë reagoi Erjon Braçe: “Zoti ministër, që ta ndajmë këtë se kush është gënjeshtari nga ne të dy, unë dua brenda ditës së sotme konfermat e thesarit për këto para që janë paguar nga viti 2009-2013. Silli këtu në komision, t’u shpërndahen mediave, me qëllim që ta marrin vesh kush gënjen në këtë sallë”, – tha Braçe.

I pyetur se përse paketa e solidaritetit dhe rishpërndarja e fondeve nuk është parashikuar që fillim në buxhetin 2016, Ahmetaj u shpreh se: “Ato bëhen të mundura në fund të vitit për shkak të miradministrimit apo të kursimeve dhe, mbi të gjitha, për shkak të vëmendjes që një qeveri vendos në bazë të programit apo ndjeshmërisë së vet të avancojë”.

Në aktin normativ të miratuar përfshihen: Akordimi i një fondi në masën 4 miliardë lekë për paketën e solidaritetit; akordimi i një fondi në masën 450 milionë lekë për emergjencat civile; akordimi i një fondi total në masën 600 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë; akordimi i një fondi në masën 142 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve; akordimi i një fondi në masën 50 milionë lekë për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në programin “Zhvillimi i Sportit”; rialokime të brendshme në projektet e investimeve publike dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura të sektorit të infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellës-kanalizimeve, në masën 3.4 miliardë lekë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: