Në kuadër të takimeve në qarkun Dibër, në një bashkëbisedim me sipërmarrësit e zonës për buxhetin 2018 dhe paketën fiskale, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, kanë folur edhe për mbështetjen që do t’i jepet vitit të ardhshëm, sektorit të bujqësisë.

Ministri Ahmetaj i ftoi fermerët të pajisen me Nipt, si një instrument kyc që jo vetëm ndihmon formalizimin e sektorit, por mbi të gjitha garanton rimbursimin e fermerëve që në vitet e fundit është dhjetëfishuar.

“Unë ju sugjeroj që të krijoni linjën tuaj, netëork-un tuaj dhe të fermerëtve me NIPT dhe t’i tregoni që NIPT-i është bërë për t’i favorizuar.

Dua të ndaj me ju që, po shkon rimbursimi i fermerëve në 20 milionë dollarë. E dini sa ka qenë përpara disa viteve? 2 milionë dollarë. Eshtë rritur 10 herë rimbursimi! Pra, është një instrument favorizimi shumë i madh.

Nëse ju vini me NIPT-in, qeveria ka mundësi t’ju japë 20% mbrapsht. Ne i rimbursojmë me vendim qeverie 20% eksportuesit brenda 30 ditëve dhe prodhuesit siç jeni ju brenda 60 ditëve” – tha Ahmetaj.

Ministri i Bujqësisë Peleshi e vuri theksin tek rritja e mbështetjes financiare për bujqësinë të parashikuar në vitin 2018 në buxhetin e shtetit, por jo vetëm:

“Vitin që vjen, ne do të kemi një fond fal bujarisë edhe të Ministrit të Financave, që është më i madhi që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural, 2.6 miliardë lekë. Nëqoftëse do t’ia dalim me sukses, mund të hapim brenda këtij viti, edhe IPARD-in. IPARD është një program mbështetjeje i Bashkimit Europian në mbështetje me qeverinë shqiptare që është 93 milionë euro. Pra, viti 2018 do të jetë viti i parë ku ne do të kemi, jam i sigurt, më shumë para se sa sektori dhe sektorët kanë mundësi të thithin” – tha Peleshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: