Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka inspektuar punimet në një shkollë në Fushë Krujë.

Ahmetaj shprehet se e gjithë zona e dëmtuar nga tërmeti, sot është një kantier ndërtimi. Ai shton se në pranverë të vitit 2021, nuk do të ketë asnjë gjurmë të tërmetit në 11 bashki të vendit.

Ahmetaj inspektoi punimet e shkollës 9-vjecare dhe kopshtit Korb Muça në Fushë- Krujë, që po rindërtohet me financim nga Komisioni Europian dhe zbatim nga UNDP, në kuadër të programit EU4Schools.

“Një shkollë e re për 300 nxënës, me ambientet e palestrës, 10 klasa, 3 laboratorë, dhomën e psikologut e ndërkohë është dhe godina e kopshtit për 30-40 fëmijë. Një shkollë gjithashtu me standard evropian që plotëson të dyja kushtet qoftë Eurocode 8, qoftë ato të Vendimit të  Këshillit të Ministrave, siç janë ndërtuar të gjitha shkollat e Rindërtimit, pavarësisht nga financimi.

Është momenti i duhur për të falënderuar Komisionin Evropian dhe të gjithë donatorët për mbështetjen që na kanë dhënë në procesin e rindërtimit. Janë 100% e granteve nga konferenca e donatorëve të vitit të kaluar, rreth 300 milion euro grante, sot janë të gjitha në veprim, në punë, si kjo shkollë apo si shume projekte të tjera në vazhdim” – tha Ahmetaj, ndërsa sqaroi se qeveria shqiptare është në proces edhe për tre 3 kredi të mëdha, ku përfshihet projekti i ujësjellësit të Durrësit me vlerë 65 milion euro me qeverinë franceze. Banka Europiane për Investime, 100 milion euro për banesa sociale dhe infrastrukturë  komunitare si dhe me qeverinë italiane 90 milionë euro me tre shtylla kryesore, mbështetje për Agjencinë e Mbrojtjes Civile, me sektorin e bujqësisë për portet e peshkimit dhe me infrastrukturën e energjisë nëpërmjet OSHEE-së.

“E gjithë zona e dëmtuar nga tërmeti është kantier ndërtimi, 160 shkolla, kaq shumë shkolla nuk janë bërë në 30 vite në Shqipëri. Mbi 4500 njësi banimi dhe do jenë 11 mijë familje që do të përfitojnë apartamente të reja: në Tiranë, tek zona e 5 Majit, në Kombinat që tashmë ka filluar, në Durrës që tashmë ka filluar, në Manzë që fillon javës që vjen, në Thumanë, Fushë-Krujë, Krujë, Kavajë, Golem që kanë filluar, në Rrogozhinë që ka shumë kohë që ka filluar dhe ndërkohë i kemi dhënë familjeve të dëmtuara mbi 100 milion dollarë grante DS1-DS3.

Rindërtimi po ecën me shpejtësi. Është një premtim i mbajtur dhe ashtu siç kemi thënë në Prill të ’22 nuk do të ketë asnjë shenjë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Në prill të ’22 të 32 mijë familjet që janë vlerësuar të përfitojnë nga procesi i rindërtimit, do të kenë përfituar falas, do t’i trashëgojnë, do t’i shesin, do t’i japin me qira sipas dëshirës apo nevojës së tyre” – tha Ahmetaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb