Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj inspektoi sot ecurinë e punimeve në qytezën e re që po ndërtohet në Thumanë.

Ndalesa e parë e inspektimit është kopshti dhe shkolla 9-vjecare Ramazan Jangozi, me 14 klasa, laboratorë, ambiente sportive moderne, që në shtator do të mirëpresin nxënësit e fëmijët. Ky është një nga 167 objektet arsimore që po ndërtohen brenda procesit të Rindërtimit në bashkëpunim edhe me donatorët.

Zona e re përmban 14 pallate me 278 apartamente, nga të cilat 13 me financim nga buxheti i shtetit dhe 1 nga Fondacioni Behgjet Pacolli. Po kështu pjesë e zonës është lagjia rezidenciale, me 155 banesa individuale, të cilat janë financuar nga Fondacioni Firdeus. Infrastruktura publike, objektet arsimore dhe publike brenda zonës, janë gjithashtu financim i qeverisë Shqiptare.

Në total, në zonën e re do të akomodohen rreth 2 mijë familje, në apartamente dhe banesa individuale, falas.

“Është detyrë e Bashkisë që të behet gati lista e përfituesve, sipas sistemit të pikëzimit, duke nisur nga familjet në nevojë dhe kategoritë prioritare, sic parashikohet në Aktin Normativ të Rindërtimit”- tha Ahmetaj.

Krahas zonës së banuar, brenda qytezës së re do të përqendrohen edhe objektet kryesore publike si njësia administrative, qendra shëndetësore, zyra e postës, policisë, bibliotekë etj, të cilat parashikohet të përfundojnë brenda fundit të vitit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb